Botë

Reformohet Ligji i taksave në SHBA, fitore e madhe e Trump

Senati amerikan aprovoi draftin final të reformës më të madhe të taksave në Shtetet e Bashkuara prej më shumë se 3 dekadash.

Vota e tij dhe ajo e Dhomës së Përfaqësuesve një ditë më parë i dhanë presidentit Donald Trump fitoren më të madhe legjislative deri më tani. Projektligji u miratua në linja partiake, me 51 vota pro dhe 48 kundër, transmeton TCh raportimin e medieve të atjeshme.

Ligjvënësit republikanë këmbëngulin se ligji i ri do t’i japë ekonomisë amerikane një shtysë më se të nevojshme.

Ai shton zbritjet standarde për shumicën e familjeve dhe individëve e pakëson sasinë e të ardhurave të taksueshme që ata duhet të paguajnë, ndërsa ul gjithashtu normën e taksave për korporatat dhe amerikanët me të ardhura të larta.

Praktikisht, sipas republikanëve, e gjithë kjo sipërmarrje do të nxisë investimet, do të rrisë punësimin e do të çojë më shumë parà në xhepat e amerikanëve.

Kritikat, megjithatë nuk mungojnë. Zërat skeptikë thonë se ligji do ta rrisë borxhin amerikan me një miliard dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme.

Analisti Carten Brzeski i tha Zërit të Amerikës se shkurtimet përbëjnë deri diku një përsëritje të politikave të ndërmarra nga Regani në vitet ’80, i cili besonte se ulja e taksave për korporatat do të rriste të ardhurat, por në fakt nuk ndodhi ashtu.

Të tjerë ekspertë mendojnë se efektet e këtij ligji nuk do të ndihen kaq shpejt, pasi ai vërtet sjell shkurtime taksash, por heq ndërkohë edhe disa zbritje të rëndësishme që iu bëheshin taksapaguesve, ndaj do të duhet kohë – sipas tyre, – për të parë se cilët janë fituesit dhe humbësit e vërtetë.