Botë

NATO në seli të re në marsin e vitit 2018

Të punësuarit në NATO, diplomatë e ushtarakë të 29 shteteve anëtare, do të transferohen në shtabin e ri të Aleancës Veriatlantike në Bruksel më 19 mars 2018, ka thënë zëdhënësja e Aleancës.

"Ky proces do të zgjasë 12 javë dhe gjatë kësaj periudhe ish- selia e cila daton nga viti 1960 do të funksionojë për ta siguruar vazhdimin e aktivitetit", ka saktësuar zëdhënësja Oana Lungescu, transmeton Koha.net.

Shtabi i ri në tërësi do të duhej të jetë në funksion në mesin e qershorit, gjatë mbajtjes së samitit të krerëve të Aleancës të caktuar më 11 e 12 korrik në Bruksel, i dyti për presidentin amerikan Donald Trump.

Gjithsej 4.000 persona do të vendosen në ndërtesën ku punojnë 300 persona që e mbikëqyrin transferimin, njofton al jazeera.

Selia e re është një ndërtesë futuriste me tetë krahë që paraqet gishtat e kryqëzuar të dy duarve.

Arkitektura e ndërtesës simbolizon unitetin e vendeve të aleancës ushtarake më të fuqishme në botë e cila tubon 29 vende të Europës dhe të Amerikës Veriore.

Kjo ndërtesë ka kushtuar mbi 1,2 miliard euro.