Botë

Tillerson: Ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, janë luftë hibride

Ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, ishin një akt i “luftës hibride” nga ana e Moskës, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

“Presidenti Donald Trump e ka thënë qartësisht disa herë se dy vende si Rusia dhe SHBA-të nuk mund t’i lejojnë vetes të mos kenë një marrëdhënie të frytshme, por sot nuk është rasti dhe ne e dimë të gjithë përse”, tha ai gjatë një mbledhje para funksionarëve të departamentit të Shtetit në Uashington, ku prezantonte bilancin e tij në krye të diplomacisë amerikane.

“Rusia ka vendosur të pushtojë një shtet sovran, Ukrainën dhe Rusia zgjodhi, nëpërmjet një lufte hibride, të hyjë në procesin demokratik këtu dhe më pas edhe në vende të tjera”, theksoi ai.

Shprehja luftë hibride është përdorur zakonisht për të përshkruar operacionet ruse në Ukrainë, ku përdoren shërbimet speciale dhe dezinformimi. Shërbimet sekrete amerikane, që prej një vitit kanë dalë në përfundimin se Rusia e Vladimir Putinit, ishte përpjekur të influenconte votuesit në vitin 2016 nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe një fushate të gjerë propagande.