Botë

Dan Coats konfirmohet Drejtor i Inteligjencës Kombëtare

Senati i SHBA-së, me shumicë votash, e konfirmoi ish-senatorin republikan Dan Coats në rolin e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, transmeton koha.net.

Votimi ishte 85 me 12 në favor të Coatsit, i cili gjithashtu ka shërbyer si ambasador në Gjermani nën administratën e ish-presidentit George W. Bush.

I vetmi republikan që votoi kundër ishte senatori Rand Paul, derisa edhe disa prej demokratëve nuk e përkrahën përzgjedhjen e Coatsit në këtë pozitë.

73-vjeçari në këtë mënyrë zëvendëson James Clapperin, i cili u pensionua në kohën kur ish-presidenti Obama dorëzoi mandatin në janar. Coats ishte anëtar i komitetit të inteligjencës së Senatit, derisa është zotuar se do të mbështesë hetimin e plotë lidhur me ndonjë përpjekje të mundshme ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.