Botë

Parandalohet një sulm i ISIS ndaj kryeministres britanike, May

Mediat britanike raportojnë se shërbimet sekrete në vend, muajt e fundit kanë parandaluar një plan për vrasjen e kryeministres Theresa May, të ideuar nga një atentator islamik, i cili është simpatizant i ISIS-it.

Ai kishte në plan të shpërthente një bombë artizanale përballë Dawning Street, dhe më pas të sulmonte me thikë kryeministren May duke përfituar nga kaosi që do shkaktonte shpërthimi.

Mediat britanike, transmeton Shqip, citojnë një raport të prezantuar në qeveri të martën nga drejtori i shërbimeve sekrete, Endrju Parker. Në raportin e tij Parker raportoi para këshillit të ministrave se ishin planifikuar të paktën 9 sulme të rëndësishme, të cilat u zbuluan në kohë nga shërbimet e sigurisë dhe policia britanike pas sulmit në Uestminster në muajin mars.

Numri i akteve terroriste të parandaluara në katër vitet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar pas vrasjes së ushtarit Li Rigby, është 22, po sipas shërbimeve sekrete britanike. Deklaratat e Parker u bënë pak pasi një raport i pavarur kishte denoncuar mangësi në shërbimin e policisë për sa i përket atentatit të muajit maj në Manchester: duke vënë në dukje se si kamikazi i ri me originë nga Libia, Salman Abedi kishte qenë në vëmendjen e hetuesve një herë dhe mund të ishte ndaluar në kohë

Sipas “Sun” janë dy personat e ndaluar dhe të akuzuar për planin në fjalë dhe që presin të dalin në gjykatë. Njëri prej tyre është 20-vjecari Zakaria Rahaman dhe rezulton të jetë arrestuar para një jave nga forcat e anti terrorizmit të Scotland Yard, pasi iu gjetën materiale për përgatitjen e bombave artizanale. Ndërsa personi i dytë i arrestuar ishte mbështetësi i tij për sa i përket anës logjistike.