Botë

Fshati zviceran i thotë po nismës për popullim – ofron 70.000 franga shpërblim

Në shikim të parë, Albinen duket si një fshat malor nga ndonjë album fotografish. Ai gjendet në një lartësi prej 1300 metrash, dhe shtrihet në një shpat malor që e rreh dielli. Në pamje të parë duket se në Albinen çdo gjë është në rregull. Por problemi është se në këtë fshat jetojnë sot vetëm 241 vetë, dhe syresh vetëm 25 janë nën 20 vjeç.

Për këtë arsye banorët e këtij fshati kanë nisur një nismë për të thithur banorë të rinj dhe kërkojnë që për këtë të zhvillohet një referendum. Sipas përfytyrimeve të banorëve të fshatit ata që vijnë të jetojnë në këtë fshat marrin një shpërblim në të holla. Kështu një familje katërvetëshe mund të marrë deri në 70.000 franga (rreth 60.000 euro). 

Ky lajm mori dhenë nga SHBA-ja në Meksikë, Spanjë, Kroaci, Vietnam e deri në Kinë. Pasi disa media bulevardeske shkruan për këtë ide, komuna e fshatit u bombardua prej rreth 3000 kërkesash me e-mail, sms, whatsapp apo facebook, tregon kryetari i komunës Beat Jost, raporton DW.

E tani banorët e fshatit Valais në Albinen kanë votuar në favor të kësaj skeme të re.

Fshatarët pranuan propozimin me 71 vota ndaj 29 sa ishin kundër në një referendum të mbajtur në fund të një takimi 1 orësh ku morën pjesë rreth 100 banorë, raporton agjencia e lajmeve ATS, shkruan Koha.net.

“Është rezultat i qartë dhe jam shumë i lumtur për të”, ka thënë Jost për ATS.

Plani është që familjet apo individët që vendosin të blejnë apo ndërtojnë një shtëpi në Albinen do të jenë në gjendje, por vetëm nëse i plotësojnë disa kushte, për të përfituar 25,000 franga për të rritur dhe 10,000 franga për fëmijë, që i bie 70,000 franga për një familje katër anëtarëshe.

Dezinformim mediatik

“Problemi në të gjithë këtë histori është se mediet e kanë pasqyruar projektin tonë në mënyrë të shtrembëruar”, thotë Beat Jost, i cili është vetë gazetar. “Kjo ka bërë që shumë njerëz që janë në kërkim të një perspektive të re jetese, të ëndërrojnë për të ardhur në fshatin tonë. Por fjala është për një nismë, e cila ende nuk është aprovuar nga referendumi”.

Po ashtu në media nuk është shkruar as edhe që shpërblimi lidhet me kushte të caktuara, kështu kush do të vijë duhet të jetë nën 45 vjeç. Po ashtu ata që përzgjidhen duhet të jetojnë të paktën 10 vjet në Albinen, ndryshe duhet ta kthejnë shpërblimin, dhe të investojnë në fshat të paktën 200.000 franga (rreth 170.000 euro). Po ashtu duhet që të huajt që duan të vendosen në Albinen të kenë vizën C.

Pra, nga 3000 prej atyre që kanë bërë deri tani kërkesë askush nuk i plotëson kushtet.