Botë

Zvicra pritet ta ekstradojë Elfeta Veselin në Bosnje, e dyshuar për vrasjen e një serbi 12 vjeçar

Zvicra pritet të ekstradojë një grua të kërkuar për vrasjen brutale të një djali serb në luftën e Bosnjës 1992-1995, kanë thënë zyrtarë të drejtësisë së të dyja vendeve.

Elfeta Veseli është rast i rrallë i një gruaje të dyshuar për krime lufte në konfliktin në Jugosllavi. Ajo është lindur më 1960 në Kosovë por ka jetuar në Bosnje në fillim të luftës, ku mbetën të vdekur 100 mijë vetë.

Sipas “TheLocal.ch”, Veseli ishte arrestuar në kantonin zviceran Neuchatel shtatorin e kaluar dhe u ndalua në Gjenevë në pritje të ekstradimit.

Ekstradimi i saj në Bosnje pritet të ndodh “shpejt, kur të plotësohen kushtet”, ka thënë një prokuror në Sarajevë, transmeton Koha.net.

Veseli ka luftuar me forcat myslimane në Bosnjë, sipas aktakuzës ndaj saj.

Ajo dyshohet për vrasjen e 12 vjeçarit, Slobodan Stojanoviq, në Zvornik, Bosnje lindore.

Djaloshi dhe prindërit e tij po iknin nga forcat myslimane boshnjake kur ai u kthye për qenin e tij dhe që nga atëherë më s’është parë i gjallë.

“Kurrë s’do ta harroj 16 qershorin e vitit 1993, kur më thirrën në Zvornik për të identifikuar djalin tim”, ka thënë babai i tij Ilija Stojanoviq për një të përditshme serbe në kohën kur Veseli ishte arrestuar, duke i përshkruar shenjat e torturës dhe brutalitetit në trupin e fëmijës.

Një zëdhënës i ministrisë zvicerane të drejtësisë i ka thënë AFP-së se nuk ka mundësi për të apeluar këtë vendim dhe se Veseli pritet të ekstradohet nga çasti në çast.

Veseli thuhet të ketë luftuar në njësitin e Naser Oriqit, i cili ishte liruar nga akuzat për krime lufte më 2008 nga Tribunali i Hagës.

Ai aktualisht është duke u gjykuar para një gjykate në Sarajevë për krime të supozuara të luftës kundër serbëve të Bonsnjës.