Botë

Një përqindëshi më i pasur në botë posedon gjysmën e pasurisë globale

Një përqindëshi më i pasur i popullsisë së përgjithshme botërore posedon gjysmën e pasurisë në botë, njoftoi një raport i kompanisë ndërkombëtare financiare Credit Suisse.

Sipas "Raportit të Mirëqenies Globale" të publikuar nga kompania me qendër në Zvicër, një përqindëshi më i pasur i botës posedonte 45,5 për qind të pasurisë së përgjithshme botërore në vitin 2000, ndërsa kjo shifër është rritur në 50,1 në vitin 2017.

Në raport thuhet se faktor në rritjen e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve ka ndikuar rritja e shpejtë ekonomike në shtetet në zhvillim, siç janë Kina dhe India, dhe rritja e pasurisë së shtetasve të këtyre vendeve.

Në dhjetë vitet pas krizës financiare të vitit 2007, shpërndarja e pasurisë është prishur në disfavor të popullatës mesatare. Përveç Kinës, pasuria e nivelit mesatar ka rënë në të gjitha rajonet e botës.

Sipas raportit, trendi në fjalë në ndarjen e pasurisë nuk ka treguar ndonjë zhvillim në 12 muajt e fundit. Në periudhën nga fundi i vitit 2016 e deri në fund të vitit 2017, pasuria në nivel botëror është rritur për 16,7 trilionë dollarë, për të shkuar në gjithsej 280 trilionë.

Po ashtu, rritja prej 6,4 për qind në pasurinë globale ka lënë mbrapa edhe shkallën e rritjes së popullsisë. Kështu, pasuria ka shënuar rritje te adoleshentët, ndërkohë që pasuria e nivelit mesatar ka vazhduar të bie në Afrikë, Azi-Paqësor dhe Amerikë Latine. Ndërsa është prishur shpërndarja e pasurisë midis të pasurve dhe të varfërve, nga ana tjetër është rritur pabarazia rajonale.

Raporti thekson se ky trend buron nga rritja e vlerës së pasurive financiare si aksionet, kambialët dhe këmbimi valutor, duke shtuar se popullsia e pasur që posedon më shumë burime të këtilla është pasuruar edhe më shumë.