Botë

Merkel lavdëron Serbinë për ndihmën në krizën me migrantë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka lavdëruar Serbinë për rolin e saj në krizën me migrantë në Evropë. Këto komente ajo i ka bërë në takimin në Berlin me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq.

Merkel ka përgëzuar Serbinë për pranimin e azilkërkuesve dhe ka shtuar se Gjermania “nuk dëshiron që ta lë vetëm Serbinë”, shkruan rel.

“Fatkeqësisht, në rrugën e ashtuquajtur të Ballkanit nuk është që nuk ka migrim të paligjshëm”, ka thënë Merkel.

Vuçiq, vendi i të cilit momentalisht strehon 7,500 refugjatë, ka falënderuar Merkelin për mbështetjen e Gjermanisë për Serbinë me pajisje dhe zyrtarë policorë.

“Ne duam të vazhdojmë të bëjmë këtë që jemi duke bërë, ne duam të tregojmë solidaritetin dhe humanitetin tonë”, ka thënë ai.

Një vit më parë, rruga ballkanike e migratëve – që kalon përmes Serbisë, Maqedonisë dhe Kroacisë - zyrtarisht u mbyll edhe pse migrantët vazhdojnë të tentojnë ta kalojnë atë.

Rreth 525 kilometra rrethojë është ndërtuar për të ndalur migrantët që të kalojnë në këtë zonë.