Botë

Ish-udhëheqësi i fushatës së Trumpit ofron 12 milionë dollarë për t’i ikur arrestit shtëpiak

Ish-udhëheqësi i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, Paul Manafort, ka ofruar 12 milionë dollarë pasuri të paluajtshme dhe asetet e sigurimit të jetës si dhe kufizime në udhëtim për t’iu shmangur arrestit të vazhdueshëm shtëpiak, bën me dije Reuters duke u thirrur në dokumentet e paraqitura të shtunën në gjykatë.

Manafort, që drejtoi fushatën presidenciale të Trumpit për disa muaj vitin e kaluar, dhe ndihmësi Richard Gates, gjatë kësaj jave u deklaruan të pafajshëm ndaj padisë 12 pikëshe nga një juri federale. Akuzat përfshijnë komplot për pastrim të parave, komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe mos regjistrimin si agjentë të huaj të ish-qeverisë pro-ruse të Ukrainës, transmeton Koha.net.

Në dokumentet e paraqitura në gjyq të shtunën, Manafort po ashtu ka ofruar edhe kufizime për udhëtim në vetëm New York, Washington dhe Florida.

“The New York Times” gjatë ditës raportoi se një këshilltar për politikë të jashtme i ekipit të fushatës presidenciale të Trumpit është takuar me zyrtarë qeveritarë rusë vitin e kaluar, deklaratë të cilën gazeta e mbështeti në dëshminë që ky zyrtar e dha këtë javë para komitetit kongresist amerikan.

Në shumë intervista muajve të fundit, këshilltari Carter Page, ose ka mohuar takimet me zyrtarë qeveritarë rusë gjatë një udhëtimi në Moskë korrikun e vitit 2016 ose ka thënë se ka takuar “kryesisht dijetarë”.