Botë

Trump nis turneun më të gjatë në Azi në 25 vjetët e fundit të një presidenti amerikan

Donald Trump nisi udhëtimin e tij maratonë 11-ditor në Azi, që do ta çojë në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë, Vietnam dhe Filipine.

Ky llogaritet të jetë turneu më i gjatë aziatik i një Presidenti amerikan në 25 vjet. Rrugëtimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në një kohë tensionesh të përshkallëzuara me Korenë e Veriut për shkak të programit të saj bërthamor dhe testeve të njëpasnjëshme raketore.

Trump pritet të tregojë një front të bashkuar me Korenë e Jugut dhe Japoninë gjatë ndalesave të tij e të ushtrojë njëkohësisht presion mbi Kinën për ta shtyrë të ndjekë një linjë më të ashpër ndaj Penianit.

Por, fillimisht avioni presidencial e çoi udhëheqësin republikan në Hauai, ku vizitoi memorialin USS Arizona Memorial në Pearl Harbor, skena e sulmit tragjik japonez të vitit 1941, që e tërhoqi Amerikën në Luftën e Dytë Botërore. Kreu i shtetit amerikan mori gjithashtu pjesë në një mbledhje të shkurtër të komandës amerikane të Paqësorit.

Por, çfarë kërkojnë pesë vendet aziatike prej njeriut që drejton kombin më të fuqishëm të botës? Koresë së Jugut i nevojitet ndihmë me fqinjin e saj të rrezikshëm verior; Japonia dëshiron të garantohet sërish mbi miqësinë e Amerikës; Kina këmbëngul tek përmirësimi i tregtisë; Vietnami synon bashkëpunimin ushtarak; Filipinet presin marrëdhënie më të ngushta dypalëshe.

Presidenti i fundit amerikan që ka ndërmarrë një rrugëtim të tillë në Azi ishte George W. Bush, i cili vizitoi rajonin në fillimin e vitit 1992. Gjatë ndalesës asokohe në Japoni, Bushit i ra të fikët e në një tjetër rast volli gjatë një banketi.