Botë

Presidenti katalanas në Belgjikë, Madridi me mençuri në vend të dorës së fortë

Descriptive Text

U zyrtarizua arratia në Belgjikë e kreut të rrëzuar të qeverisë katalane, Carles Puigdemont, raporton DW. Shumë politikanë katalanë janë larguar nga detyra. Shumica e popullit spanjoll vlerëson strategjinë e përmbajtur të Rajoyt.

Megjithë thirrjet e demonstruesve të dielën (29.10) për “futjen në burg të Puigdemont” në një demonstratë kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë, kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy është treguar i përmbajtur. Ai po zgjedh rrugën e drejtësisë. Ajo duhet të vulosë imazhin e Puigdemont, që për Mariano Rajoy është një mashtrues.

Santiago Casal nga lëvizja e majtë “Recortes Cero” thotë se Rajoy nuk po zgjedh rrugën e dhunës kundër atyre që rebelohen “në vend të kësaj ai po përpiqet përmes veprimit të shtetit ligjor para zgjedhjeve rajonale parlamentare më 21 dhjetor, të bëjë për vete ata që ngurrojnë. Po luhet me kartën e fundit, nuk ka më alternativë tjetër për zbatimin e nenit 155”.

Madje edhe kundërshtarët politikë të Mariano Rajoyt e shohin fajin për këto javë dramatike vetëm tek Puigdemont. Shumë simpatizues të pavarësisë i kanë kthyer tani kurrizin Carles Puigdemont.

Puigdemont në Belgjikë

Shumica e popullit spanjoll po e vlerëson strategjinë e përmbajtur të Rajoyt në Katalonjë si një strategji të mençur. Qëllimi është të mos krijohet në asnjë mënyrë përshtypja në opinionin botëror, se shteti spanjoll po shtyp katalanët, ose siç ishte shprehur Puigdemont disa herë -po i trajton në mënyrë totalitare. Për të gjitha hapat që duhen ndërmarrë në institucionat katalane po përdoret “Guardia Civil”.

Të hënën u bë e ditur, se prokuroria e Madridit akuzon ish-përfaqësuesit e qeverisë katalane dhe përgjegjësve në parlamentin katalan për rebelim, trazira dhe keqpërdorim të posteve. Këtij lajmi iu shtua se Puigdemont bashkë me gjashtë anëtarë të qeverisë së shfuqizuar, ka kaluar fillimisht me automjet në Francë, pastaj me avion në Belgjikë, ku mund të bëjë kërkesë për azil politik.

“Ajo që kërkon Rajoy është që rebelët të mbyten në supën që gatuan vetë”, shprehet profesori i ekonomisë Javier Morillas në Universitetin Katolik të Madridit, San Pablo Ceu. Askush nuk duhet bërë hero, Rajoy nuk do ndonjë tragjedi.

“Pastrim” i institucioneve deri në zgjedhjet e reja

Tim Wirth, avokat gjerman në Mallorca shprehet se “qeveria e shfuqizuar katalane i ka injoruar kaq shpesh ligjet, saqë mund të flitet për atë që Katalonja nuk ndodhej më në një gjendje demokratike, por në atë totalitare.” Normalizimi i gjendjes mund të arrihet, nëse qeveria e Madridit vepron, por me kujdes.

Deri tani strategjia e Mariano Rajoyt ka pasur sukses. Nuk ka pasur trazira në rrugë, çdo gjë është e qetë. Shumë simpatizantë të kulturës katalane dhe autonomisë për shkak të shkeljeve ligjore të qeverisë së Puigdemont kanë kaluar në anën e Rajoyt, thotë Tim Wirth.

Edhe Joanen Cunyat nga lëvizja “Recortes Cero”, kundërshtarë të Mariano Rajoyt, shprehet, se “ne e kemi kritikuar Rajoyn në të shkuarën shumë herë, por ai nuk ka faj për situatën e krijuar në Katalonjë.” Aktualisht separatistët janë në pakicë në Katalonjë. Deri në zgjedhjet e 21 dhjetorit nuk mbetet shumë kohë për rivendosjen e demokracisë dhe pastrimin e institucioneve nga propaganda e separatistëve. “Shtatë javë deri në zgjedhjet e parakohshme për pastrimin e institucioneve janë një kohë e shkurtër për garantimin e zgjedhjeve të lira e normale”, thuhet nga qeveria spanjolle. Madridi pret fitoren e forcave prospanjolle në zgjedhjet e 21 dhjetorit.