Botë

Shefi i fushatës së Trumpit shkon para prokurorëve

Ish drejtuesi i fushatës së Donald Trump, Paul Manafort është akuzuar zyrtarisht për mashtrimin e Shteteve të Bashkuara me marrëveshjet e tij me Ukrainën.

12 akuza janë ngritur ndaj Manafort dhe njërit prej ortakeve të tij të biznesit, Rick Gates. Mes tyre figuron edhe pastrimi i parave. Manafort vendosi të paraqitej vetë përpara prokurorit të posacem Robert Mueller në vazhdën e aferës së ndërhyrjes ruse në presidencialet e 2016-tës.

Padia në vetvete sinjalizon një faze të re dramatike në hetimin e gjerë të Muellerit mbi një marrëveshje të mundshme të fshehtë mes qeverisë ruse dhe pjesëtarë të ekipit të Trump.

Në lupën e prokurorit special do të jetë edhe pengimi potencial i drejtësisë si dhe krimet financiare. Manafort ka punuar dikur për ish presidentin pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Ai vazhdon të mohojë me forcë çdo shkelje të natyrës financiare që ka të bëjë me pagesat të lidhura me Kievin, llogaritë bankare offshore dhe transaksionet e tij të shumta ndër vite me pasuritë e patundshme.

68-vjeçari është personi i parë i orbitës së Donald Trump që akuzohet në kuadër të hetimit të përshkruar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë si “gjueti shtrigash”.

Mueller po kërkon të shohë edhe nëse veprimet e Trump lidhur me shkarkimin e ish shefit të FBI-së, James Comey përbëjnë pengim të drejtësisë, e jashtë fokusit nuk do të mbeten as marrëveshjet financiare të bashkëpunëtorëve të Presidentit.