Botë

Skuqet Fontana di Trevi

Uji i Fontana di Trevi, shatërvani ikonë i kryeqytetit italian dhe një prej vendeve më të vizituara nga turistët në Romë, mori ngjyrë të kuqe kur një burrë hodhi bojë në basenin e saj kryesor.

Të huaj e rezidentë i shpërndanë me shpejtësi në mediat sociale pamjet e objektit të famshëm që ngjyrosej në të kuqe të thellë, ndërsa policët largonin nga zona personin përgjegjës për incidentin. Ai është prangosur e tani zyrtarët e qytetit po verifikojnë nëse shatërvani i shekullit XVIII ka pësuar ndonjë dëmtim, transmeton tch.

Fontana di Trevi konsiderohet si një prej vendeve më romantike të botës, por jo vetëm kaq. Supersticiozët besojnë se po të hedhësh një monedhë në ujrat e tij, rikthimi në qytetin e përjetshëm është i garantuar. E kjo nuk është legjenda e vetme që rrethon shatërvanin sa të mrekullueshëm, aq edhe fitimprurës për autoritetet vendore, të cilave i sjell vetëm nga mbledhja e monedhave gati 3 000 euro në ditë.

Një tjetër gojëdhënë tregon se monedhat që hedh aty mund të të sjellin një lidhje të bukur romantike të kurorëzuar ndoshta në martesë. Dikur thuhej se një gotë ujë nga ai i Fontanës sillte fat. Vetëm vitin e kaluar, llogaritet që vizitorët të kenë hedhur në shatërvan plot 1,5 milionë dollarë, para’ këto që u shpenzuan për të varfërit, familjet në krizë dhe mensat popullore.