Botë

Anketat nxjerrin Shinzo Abe fitues të zgjedhjeve në Japoni

Anketat menjëherë pas votimit tregojnë se koalicioni qeverisës i kryeministrit japonez, Shinzo Abe do të sigurojë lehtësisht fitoren në zgjedhjet e sotme të përgjithshme.

Sipas një sondazhi televiziv, koalicioni i udhëhequr nga Partia Liberal-Demokrate e zotit Abe, duket se do ta ruajë “shumicën dërrmuese” me dy të tretat, që kishte në Dhomën e Ulët të Parlamentit para se kryeministri ta shpërndante atë në shtator.

Një fitore në zgjedhjet e parakohëshme ka gjasa t’i sigurojë zotit Abe edhe një mandat tjetër trevjeçar, si kreu i koalicionit, duke e bërë atë udhëheqësin japonez që ka shërbyer më gjatë në këtë post.

Anketat tregojnë se votuesit e konsideruan qeverinë e zotit Abe si zgjedhjen më të sigurt ndërsa vendi përballet me shqetësimin bërthamor të Koresë së Veriut.