Botë

Serbia tregon forcën, Vuçiq thotë se ajo është për të mbrojtur serbët

Serbia e kremtoi me një paradë ushtarake dhe një show ajror 73-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Parada ku u përfshinë 2.500 trupa të këmbësorisë, parashutistë dhe njësi speciale të anti-terrorizmit u zhvillua në bazën ajrore të Batajnicës, në periferi të Beogradit.

130 automjete ushtarake, tanke e raketa-hedhëse u ekspozuan në këtë paradë, së bashku me 30 avionë dhe helikopterë, përfshirë këtu edhe MiG-un 29 të dhuruar presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, përpara fillimit të stërvitjes ushtarake.

Fjalimin e mbajtur me këtë rast, Vuçiq e përdori për të treguar se Serbia po i forcon ndjeshëm forcat e saj mbrojtëse.

“Është e pamundur për çdo kriminel që të përpiqet të sulmojë e të dëmtojë Serbinë dhe t’ia hedhë paq. Ne e mbrojmë me vendosmërinë më të madhe sovranitetin kombëtar dhe sigurinë territoriale të këtij vendi e të gjithë qytetarëve të tij”, tha Vuçiq.

Kreu i shtetit serb theksoi edhe një herë se vendi është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por pavarësisht kësaj do të vazhdojë të ruajë një marrëdhënie të ngushtë e miqësore me Rusinë dhe Kinën. Pas paradës dhe spektaklit ajror, ushtarët kryen manovra të fokusuara tek anti-terrorizmi dhe situata pengmarrjeje.

 


Lexoni edhe: Vuçiq përsërit: Me shqiptarët duam marrëveshje historike