Botë

Holanda ndalon automjetin e ministres turke – Erdogani e quan këtë shtet “mbetje naziste”

Kryekonsulli i Turqisë në Rotterdam, Sadin Ayyıldız, ka konfirmuar se është ndaluar automjeti ku ndodhet ministrja turke e Politikave Sociale dhe Familjes, Fatma Betul Sayan Kaya, ndërsa ka shtuar se as ai vetë nuk është lejuar që të shkojë pranë ministres.

Agjencia AA thotë se televizioni publik i Holandës NOS TV ka raportuar se automjeti i ministres Kaya është ndaluar në afërsi të konsullatës.

Erdogan kritikon ashpër Holandën: Mbetje naziste dhe fashiste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar në lidhje me anulimin e lejes nga Qeveria e Holandës për uljen e avionit të ministrit të Jashtëm Mevlut Çavusoglu, duke u shprehur se “këta janë frikacakë, janë mbetje naziste dhe janë fashistë”, raporton Anadolu Agency.

Në një ceremoni të përurimeve masive në Bagcilar të Stambollit, Erdogan tha se “Askush nuk mund të na gjunjëzojë, të na shikojë shtrembër, përsa kohë që në këtë vend janë 80 milionë zemra që janë të gatshme të perëndojnë si dielli për atdheun, flamurin, ezanin dhe liritë e tyre.”

Në lidhje me anulimin e lejes së uljes së avionit të ministrit Mevlut Çavusoglu nga Qeveria e Holandës, Erdogan tha se “Teksa ministri ynë do të shkonte në Holandë për takimin me qytetarët tanë erdhi lajmi për 'ndalesën e fluturimit'. Ministri i Jashtëm i Turqisë do të niset drejt Holandës për t'u takuar me qytetarët dhe Holanda jep notën 'ndalim të fluturimit'. Kërcen njëherë, dy herë Holandë, por duhet ta dini se qytetarët e mi atje do t'i prishin lojërat tuaja më 16 prill. Ushtroni presion sa të dëshironi, ushqeni terroristët në vendin tuaj sa të dëshironi, por mos harroni se të gjitha këto një ditë do t'ju kthehen mbrapsht dhe sigurisht që ne kundrejt këtyre pas 16 prillit do të nisim zbatueshmëritë tona. Ne jemi të durueshëm”.

“Ja aktualisht populli i Bagcilarit, po e jep notën e tij ndaj Holandës. Sado që të përpiqesh për të ndaluar fluturimin e ministrit tonë të Jashtëm, pas kësaj ne do të shikojmë si do të vijnë avionët e tu në Turqi? Sigurisht që unë po flas për diplomacinë, jo për udhëtimin e qytetarëve, ajo është një çështje tjetër. Nuk e dini as politikën dhe as çfarë është diplomacia ndërkombëtare. Këta janë frikacakë, këto janë mbetje naziste, këta janë fashistë. Këtë duhet ta dini”, është shprehur ndër të tjera Erdogan.