Botë

Edhe jugu i Brazilit do pavarësi

Qytetarë në jug të Brazilit janë deklaruar të dielën ,në një votim joformal, nëse duan të mbeten pjesë e shtetit.

Referendumin, një javë pas atij katalonjas, e ka organizuar lëvizja me emrin "Jugu është atdheu im", transmeton Koha.net.

Kjo lëvizja ka kumtuar se votimin e ka organizuar në më shumë se 1000 komuna në shtetet Rio Grande do Sul, Santa Catarina dhe Paraná.

Kreu i kësaj lëvizjeje Celso Deucher thotë shpreson t’i tubojë tre milionë vota.

Në qytetin Londrini në Parana, votuesit kanë thënë se janë të zhgënjyer me qeverinë federale dhe skandalet e korrupsioneve të mëdha për të cilat pas grilave janë vendosur dhjetëra politikanë e pjesëtarë të elitës afariste, njofton al jazeera.

Të tjerët ankohen se jugu i Brazilit nuk gëzon shumë nga ardhurat tatimore të cilat i marrin kryesisht rajonet veriore të shtetit votuesit e të cilave, siç thonë, kanë më shumët ë drejta se sa në jug.

Pjesa jugore e Brazilit ka shfaqur tendencat separatiste qëkur revolucionari italian Giuseppe Garibaldi i ndihmoi rajonit të arrinte një gjysmë pavarësie në vitin 1836.

Lëvizja "Jug është atdheu im" edhe vjet në tetor ka organizuar votimin për shkëputje dhe atëherë më shumë se 95% e votuesve në të tri shtetet u deklaruan për ndarje nga Brazili.

Një numër i vogël brazilianësh besojnë në suksesin e kësaj lëvizjeje separatiste për shkak se puna e saj është e ndaluar me Kushtetutë sipas të cilës shteti është i pandarë.

Sido që të jetë, votimi për shkëputje është edhe një tregues i hidhërimit ë votuesit brazilian ndaj qeverisë federale e cila nuk është përgjigjur për rritjen e dhunës në gjithë vendin dhe që nuk ka qenë e aftë për ta ndaluar recesionin më të keq gjatë 100 vjetëve të fundit.