Botë

Mianmar s’jep arsyetime pse s’mund të hetohet ikja e myslimanëve

OKB-ja ka njoftuar se vizita e planifikuar në shtetin e Mianmarit, Rakhine, ku po ndodh eksodi masiv i myslimanëve, është anuluar nga autoritetet. Vizita është dashur të ishte e para e zyrtarëve të OKB-së në zonë që nga shpërthimi i dhunës, më 25 gusht, raporton KTV.

E zëdhënësi i OKB-së në Yangon ka thënë se autoritetet e Mianmarit nuk i kanë dhënë kurrfarë arsyesh OKB-së për anulimin e vizitës.

OKB-ja donte të shkonte në këtë rajon për të hetuar ikjen e më shumë se 500 mijë njerëzve në Bangladesh.

Myslimanët që ikën nga vendi e akuzojnë ushtrinë e Mianmarit për vrasje, rrahje, tortura dhe djegie të fshatrave, e pamjet dhe raportet nga gazetarët në vend të ngjarjes e dëshmojnë këtë.

Por, ushtria thotë se vetëm po i sulmon militantët. Qasja në shtet është shumë e zorshme shkaku se kontrollohet rreptësisht nga autoritetet. Mirëpo, grupet humanitare thonë se situata është e tmerrshme e refugjatët po përballen me mungesë ushqimi dhe kujdesi mjekësor.