Botë

Bagdadi i jep afat 3 ditë administratës kurde të dorëzojë kontrollin e kufirit

Kryeministri i Irakut, Haydar al-Ibadi tha se do të ndalojnë të gjitha fluturimet ndërkombëtare dy-drejtimëshe të administratës rajonale kurde (KRG) në qoftë se kjo nuk i dorëzon Bagdadit brenda 3 ditëve kontrollin e kufirit.

“Referendumi do të ketë pasoja negative për të gjithë Irakun dhe administratën rajonale kurde (KRG). Ky ka qenë një hap i njëanshëm, ku nuk u mor në konsideratë mirëkuptimi i partneritetit dhe vullneti ndërkombëtar. Nuk do të bëjmë kurrë lëshime nga uniteti dhe sovraniteti i Irakut. Nuk do të negociojmë për rezultatin e referendumit”, tha Ibadi në konferencën e shtypit që organizoi në Bagdad.

Disa zyrtarë kurdë po përhapin ndjenjën e urrejtjes në mesin e qytetarëve të Irakut, u shpreh Ibadi dhe shtoi “Ne nuk lëndojmë dinjitetin e asnjë qytetari, në veçanti të qytetarëve me origjinë kurde”.

Ibadi tha se kompetencat e qeverisjes qendrore do të ushtrohen në çdo rajon të vendit, ndërsa nënvizoi se në bazë të kushtetutës së Irakut buxheti federal (buxheti i KRG-së) duhet ti rikthehet qeverisë qendrore (Bagdadit).

Kryeministri i Irakut njoftoi gjithashtu se qeveria ka marrë vendim për transferimin e kontrollit të të gjitha pikave kufitare tokësore dhe ajrore qeverisë qendrore (Bagdadit).

“Zyrtarët e KRG-së nuk i morën parasysh thirrjet e autoriteteve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat deklaruan se referendumi është antikushtetues. Pikat e kalimit kufitar në autoritetin rajonal kurd të Irakut kontrollohen nga Agjencia Irakiane e Kontrollit të Kufirit. Në qoftë se kontrolli i kufirit nuk i transferohet brenda 3 ditëve Bagdadit, atëherë ne do të ndalojmë të gjitha fluturimet ndërkombëtare për dhe nga KRG-ja. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Pasuria e qeverisjes rajonale kurde të Irakut administrohet duke qëndruar jashtë kontrollit e mbikëqyrjes qendrore dhe të ardhurat shkojnë në llogarinë personale jashtë shtetit”, tha kryeministri i Irakut, Haydar al-Ibadi.