Botë

Erdogan i kërcënon kurdët me uri

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se kurdët e Irakut mund të përballen me urinë, si rezultat i masave ndëshkuese që ai po merr në konsideratë, pas referendumit për pavarësi të mbajtur të hënën.

“Kur ne të fillojmë me sanksionet tona, ata do të zhyten në uri. Gjithçka do të marrë fund kur ne të mbyllim rubinetat e naftës. Paratë do të zhduken dhe ata nuk do të munden as të gjejnë ushqim, kur kamionët të ndalen në Irakun verior”, tha Erdogan.

Erdogan akuzoi shefin e qeverisë rajonale të Kurdistanit për tradhti, pasi lejoi mbajtjen e votimit, pavarësisht kundërshtive ndërkombëtare. “Masoud Barzani duhet të heqë dorë tani nga kjo aventurë”, tha ai.

Më herët, Erdogan kishte kërcënuar se do të ndërpriste një naftësjellës të rëndësishëm për kurdët dhe do të ndalonte kamionët që kalojnë kufirin turk.

Turqia druan se, një shtet i pavarur kurd në kufirin e saj mund të ndezë ndjenjat separatiste edhe mes minoritetit të saj kurd.

Rezultatet e referendumit nuk janë bërë ende të ditura, por pritet një fitore e votës “po”. Rreth 72 për qind e 5.2 milionë zgjedhësve votuan në referendum në zonat e kontrolluara nga kurdët.

Udhëheqësit kurdë thanë se referendumi nuk do të çojë automatikisht në shpalljen e pavarësisë, por do t’u japë atyre një mandat për të nisur negociatat për ndarjen nga qeveria qendrore e Bagdadit. Kryeministri irakian, Haider al-Abadi ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve të tilla, duke thënë se nuk do të diskutonte për rezultatet e një referendumi antikushtetues.