Botë

Ndahet nga jeta ish-oficeri rus që shmangu luftën bërthamore SHBA - Rusi

Stanislav Petrov, një ish-oficer sovjetik i thirrur “njeriu që shpëtoi botën”, ka vdekur, bën të ditur DW. Vendimi që ai mori brenda disa sekondash më 1983 shmangu luftën bërthamore.

Stanislav Petrov, një ish-oficer sovjetik, të cilit i njihet merita se shmangu një luftë bërthamore me SHBA ka vdekur në moshën 77 vjeçare.

Petrovi ishte në shërbim në një qendër sekrete sovjetike për paralajmërimet e hershme kur u ndez një sinjal alarmi, që paralajmëroi lëshimin e një rakete bërthamore ndërkontinentale. Nënkoloneli 44 vjeçar duhet të vendoste brenda minutash, nëse Bashkimi Sovjetik po sulmohej.

Ai mund t’ia kishte raportuar sinjalin e alarmit eprorëve, të cilët mund të kishin urdhëruar masa shpaguese. Por në vend të kësaj ai vendosi që ishte një alarm i gabuar.

Vendimi prej sekondash i Petrovit është fiksuar në dokumentarin e vitit 2014 “Njeriu që shpëtoi botën”.

“Unë refuzova kategorikisht të isha fajtor për nisjen e Luftës së Tretë Botërore”, tha Petrovi në film. “Unë u ndjeva sikur po më çonin në një ekzekutim”.

Incidenti, që për pak përfundoi në katastrofë, nuk doli në dritë deri pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Megjithëse me shumë gjasa ai shmangu një luftë bërthamore dhe vdekjen e miliona vetëve, Petrovi vetë kurrë nuk e pa veten si hero, thotë i biri. “Ai gjithmonë habitej që njerëzit e bënin hero”, thotë ai. “Ai thjesht kreu mirë detyrën”.

Petrovi vdiq në maj, por lajmi që ai kishte ndërruar jetë u bë publik të martën, kur miku i tij gjerman, Karl Schumacher mori në telefon për t’i uruar atij datëlindjen. Aty i biri i tha se ai kishte vdekur.