Botë

Bilbao, porta hyrëse e emigrantëve në Britani

Një numër në rritje i emigrantëve, po përpiqen të hyjnë në Britani të Madhe, duke shfrytëzuar anijet në portin spanjoll të Bilbaos.

BBC ka realizuar një reportazh nga qyteti port në veri të Spanjës, ku policia po ndalon 3-4 herë në ditë, grupe emigrantësh që tentojnë të emigrojnë për në Britani.

Emigrntët janë kryesisht të rinj, shumica e të cilëve janë shqiptarë, por edhe nga vende si Afganistani, Siria, etj.

"Vij nga Calais, pasi qëndrova për një vit atje, por pa mundur të shkoj në Londër. Tani erdha në Spanjë dhe provova që këtej por sërish nuk ia dola dot. Më patën thënë që është më lehtë që këtej, sot më kapën, por do të provoj përsëri", thotë një i ri nga Afganistani.

"Bilbao është një Calais i ri. Na duhet të bëjmë shumë kujdes dhe të kontrollojmë dy herë kamionët tanë, se mos na është futur ndonjë emigrant brenda", shprehet një drejtues kamioni.

300 metra nga porti, janë ngritur edhe çadrat modeste, ku emigrantët qëndrojnë, në pritje për t'u nisur drejt Britanisë. Sipas policisë spanjolle, në këto çadra kamp janë rreth 70 të rinj, shumica dërrmuese e të cilëve nga Shqipëria.

Por në kodrat përreth portit rrinë akoma më shumë të rinj emigrantë, çadrat e të cilëve dallohen lehtësisht.

"Shqiptarët, në shumicë duan të emigrojnë në Britani, sepse siç thonë, duan të fitojnë para. Ata e dinë që kalimi nga Bilbao është i vështirë, por jo i pamundur", thotë reporteri i BBC-së, Gavin Lee.

Policia spanjolle ka shtuar patrullimet dhe kontrollet në zonën rreth portit, si dhe ka takuar autoritetet kufitare britanike, për të diskutuar mbi këtë çështje.