Botë

Ngjarjet në Mianmar sjellin në kujtesë Srebrenicën

Fotografitë e myslimanëve Rohingya duke ikur nga sulmet e budistëve radikalë sjellin në kujtesë gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës nga forcat serbe.

Masakrat ndaj myslimanëve të Arakanit (Rohingy) në Mianmar dhe migrimi i detyruar që pasoi, ka sjell në kujtesë gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës nga forcat serbe dhe ikjen nëpër rrugët malore e cila u njoh si “rruga e vdekjes”, shkruan AA.

Fotografitë e myslimanëve Rohingya duke ikur nga sulmet e budistëve radikalë sjellin në kujtesë fotografitë dhe xhirimet në rrugën malore të njerëzve pas marrjes së Srebrenicës nga forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiq në vitin 1995.

Muhamed Omeroviq, i cili ishte 18-vjeç kur filloi lufta në Bosnjë që zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995, thotë se atëbotë i ishte bashkuar ushtrisë për t'i mbrojtur trojet dhe popullin e tij dhe se gjatë gjenocidit në korrik të vitit 1995 ndodhej në Srebrenicë.

Ai rrëfen se kishte ecur për një javë në rrugën malore pas rënies së qytetit. “Rruga ishte rrugë e vdekjes dhe kurtheve. U morëm rob, u lamë të uritur, u helmuam, por në njëfarë mënyrë mbijetuam. Zoti na mundësoi të mbijetojmë në këtë rrugë që u quajt rrugë e shpëtimit, e që në fakt nuk kishte shpëtim”, tha Omeroviq.

Omeroviq, një nga dëshmitarët e gjallë të “rrugës së vdekjes”, theksoi se dhimbjen e ngjashme që e kishte përjetuar atëbotë në shpirt dhe trup sot janë duke e përjetuar myslimanët e Arakanit.

Sipas tij, ngjarjet aktuale në Mianmar janë edhe më barbare se ato në Srebrenicë. “Po i shikoj fotografitë, fëmijët vriten, ndërsa ndaj njerëzve bëhen tortura të ndryshme”, thotë ai.

Omeroviq tërheq vëmendjen në pasivitetin lidhur me myslimanët e Arakanit, duke i cilësuar si turpëruese për njerëzimin përjetimet e myslimanëve të Arakanit.

Ai bën thirrje që t'i jepet fund persekutimit ndaj myslimanëve në Arakan. “Vendosni fëmijët tuaj në vend të fëmijëve të vrarë dhe veproni sipas kësaj. Ata fëmijë janë robër të Zotit dhe kanë të drejtë të jetojnë. T'i japim fund vdekjeve. Ashtu si në Srebrenicë, bota sërish po hesht. Në këtë çështje, unë falënderoj presidentin Recep Tayyip Erdoğan për kontributin në paqen botërore dhe për qëndrimin e tij. Gjithnjë jam në anën e tij”, thekson Omeroviq.

Ai e cilëson si “të pabesueshëm” qëndrimin e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilët thotë se ngelin spektatorë kundrejt masakrës ndaj myslimanëve në Arakan. Sipas tij, botë gjithnjë e më shumë po humb kontrollin duke mos e dalluar të mirën nga e keqja.

Ai konsideron se myslimanët Rohingya nuk kanë shtet të cilit mund t'i besojnë. “Ne të paktën kishim shpresën, dritën në fund të tunelit dhe integritetin territorial që mbrohej nga ushtria jonë. Kjo nuk vlen për myslimanët e Arakanit. Ata përpiqen të ikin në Bangladesh. Këta njerëz nuk kanë një territor apo shtet ku mund të shkojnë apo t'i besojnë”, vlerëson Omeroviq.

Idriz Smajiq, i cili kishte 17-vjeç kur filloi lufta, tregon se i ishte bashkangjitur ushtrisë për ta mbrojtur vendin e tij. “Forcat serbe deshën t'i asgjësonin boshnjakët. Në Srebrenicë ndodhën gjëra tejet të çuditshme. Në një zonë nën mbrojtjen e OKB-së u vranë civilë”, shton ai.

Smajiq, i cili ishte plagosur gjatë mbrojtjes së Srebrenicës dhe i cili kishte humbur këmbën, thotë se ajo që po ndodh sot me myslimanët e Arakanit kishte ndodhur 22 vite më parë në Srebrenicë. “Njerëzit përpiqeshin të iknin me gjësende në shpinë, vriteshin dhe binin në duar të serbëve”, tregon ai.

Megjithatë, ai shprehet se myslimanët e Arakanit përballen me tirani edhe më të madhe sesa ngjarjet në Srebrenicë, duke shtuar se solidarizohet dhe ndan dhimbjet me ta.

Ai thotë se nuk mund të besojë që shumë liderë të botës ngelen të heshtur ndaj vdekjeve të fëmijëve. “Si nuk e vendosin veten në vendin e tyre, qoftë edhe për një minutë? Si do të mbijetonin ata në një gjendje të këtillë”, thotë Smajiq.

Ai është i gatshëm të ndihmojë aq sa mundet për të sensibilizuar njerëzit, siç thotë, qoftë edhe për një sekondë. Ai thotë se muslimanët Rohingya nuk i kanë bërë dëm askujt dhe po vriten pa faj, vetëm pse jetojnë në një vend të caktuar. Smajiq thekson se të gjithë, pa dallim feje, gjuhe dhe race, duhet të ofrojnë ndihmë për myslimanët e Arakanit.

Edhe Smajiq thekson se myslimanët e Arakanit nuk kanë ndonjë vend ku mund të shkojnë. “Ku mund të shkojnë ata njerëz? Prej kujt të kërkojnë ndihmë? Gjatë luftës ne kishim një ushtri, por myslimanët e Arakanit nuk e kanë këtë fat. Nuk ekziston askush që mund t'i mbrojë ata dhe të drejtat e tyre”, shprehet Smajiq.

Një numër i madh i myslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 150 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra myslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.