Botë

Shkon në 33 numri i të vdekurve nga tërmeti në Meksikë

Tërmeti më i fortë prej një shekulli në Meksikë goditi bregdetin jugor të vendit, duke vrarë të paktën 33 persona, ndërsa presidenti Enrique Pena Nieto tha se bilanci makabër s’është ende përfundimtar.

Lëkundja sizmike prej 8.2 ballësh e kishte epiqendrën në Paqësor, rreth 90 km në jugperëndim të zonës së Pijijipanit.

Pas tërmetit, i menjëhershëm ishte alarmi për cunami, por fatmirësisht nuk u verifikua asnjë i tillë.

“Fatkeqësisht ka raporte për viktima dhe dëme të mëdha materiale, të cilave nuk i vendosim dot ende një shifër. Këtë do ta bëjmë në orët dhe ditët në vijim, kur të jenë më të qarta pasojat e tërmetit”, tha Enrique Pena Nieto, presidenti i Meksikës.

Tërmeti shkaktoi panik mes popullsisë dhe njerëzit vrapuan të tmerruar në rrugë, ndërsa lagje të tëra mbetën në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Lëkundja e fuqishme e tokës zgjati thuajse një minutë.

“Nuk e kisha ndierë ndonjëherë në jetën time tokën të lëkundej në atë mënyrë. Ishte e frikshme”, tha një banor.

“Ishte e tmerrshme e mendova se ndërtesa do të shembej e do të na zinte brenda”, tha një tjetër banor.

Pas lëkundjes kryesore, u regjistruan edhe disa lëkundje dytësore, më e forta e të cilave 5.7 ballë. Si të mos mjaftonte një e keqe e madhe, vendi kërcënohet tani në bregun e tij lindor nga uragani “Katia”, i cili po afrohet me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 140 km/h.