Botë

Rritet në 146 mijë numri i myslimanëve Rohingya të ikur në Bangladesh

Ankara, 7 shtator - Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatë (UNHCR), njoftoi se numri i myslimanëve të Arakanit që kanë arritur në Bangladesh duke ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë ka arritur në 146 mijë.

Robert Watkins, koordinatori i Përhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Bangladesh, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve EFE, tha se në 24 orë të fundit edhe 23 mijë myslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh, bën të ditur AA.

Watkins thekoi se, me këtë numri i myslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladesh që nga 25 gushti kur filluan sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë është 146 mijë.

Ndryshe, një numër i madh i myslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra myslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.