Botë

Sondazhet elektorale në Gjermani: Merkel në “pole position”

Lufta elektorale tani ka hyrë në fazën e saj të nxehtë. Të dielën (03.09) zhvillohet dueli televiziv mes Angela Merkelit dhe Martin Schulzit. Kancelarja nga kristiandemokratët dhe rivali i saj Martin Schulz nga socialdemokratët në orën më të mirë të transmetimeve televizive 20:15 për 90 minuta do të debatojnë në transmetim nga katër kanalet më të mëdha televizive. Një në dy gjermanë duan ta ndjekin këtë duel, konstatohet në sondazhin e institutit të demoskopisë Forsa. Në shumë media gjermane ky event i madh televiziv konsiderohet si shansi i fundit për Schulzin për ta kthyer situatën në favor të tij.

Sidoqoftë shanset janë të vogla, sikurse rezulton nga hulumtimi i institutit të demoskopisë Infratest-Dimap për kanalin televiziv ARD, i cili ka pyetur me telefon rreth 1000 votues. Gati dy të tretat e shohin qysh tani Merkelin si fituese. Vetëm 17% kanë besim, se Schulz do të dalë me rezultat më të mirë në votime. Madje edhe në radhët e simpatizantëve të socialdemokratëve Merkel kryeson. Edhe nga radhët e përkrahësve të partive të tjera - CDU, FDP, Të Gjelbërit, AfD dhe Të Majtët - shumica beson tek kancelarja. Për Schulzin ky sondazh nënkupton se dueli televiziv është një sfidë e vërtetë sportive, raporton DW.

Vlerat e sondazhit ngjajnë me ato të anketimit para duelit të fundit televiziv në zgjedhjet e vitit 2009, asokohe u përball me kancelaren Merkel socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier. Në zgjedhjet e vitit 2013 Merkel pati një pozicion më të dobët.

Edhe Merkel pëson humbje

Edhe sa i përket pyetjes së dytë kyçe në sondazh, krahasimi direkt mes Merkelit dhe Schulzit, kancelarja është në epërsi: një në dy votues do ta zgjidhte direkt atë. Ndërsa Schulzin një në katër. Lidhur me këtë pyetje megjithatë panorama është e ndryshme po të shohësh secilin kamp të përkrahësve. Një e treta e përkrahësve të socialdemokratëve do të zgjidhnin Schulzin. Edhe tek të Majtët Schulzi është më i preferuar se Merkeli, por jo tek Të Gjelbërit.

Sidoqoftë të dy kandidatët shënojnë humbje elektorati. Schulz arrin në vlerën më të ulët ndonjëherë të socialdemokratëve. Merkeli humbet tetë përqind të pikëve dhe është mjaft larg kuotës së saj më të mirë me 57% në korrik të këtij viti.

Merkel dhe liberalët - Ky koalicion ripërtërihet

Me kë do të qeverisë Merkel, nëse bëhet sërish kancelare, gjë që me sa duket e dëshirojnë shumë zgjedhës? Hulumtimet e institutit Infratest-Dimap nxjerrin në pah një spostim të dukshëm krahasuar me parashikimet në pranverë. Një koalicion mes kristiandemokratëve dhe liberalëve preferohet nga 7% më shumë se në prill. Ky koalicion preferohet edhe nga shumica e përkrahësve të këtyre partive: 77% në radhët e atyre të CDU/CSU-së dhe madje 89% nga ata të liberalëve.

Po me 7% ka rënë preferenca edhe ndaj koalicioni të gjerë CDU/CSU dhe SPD - ndpnëse ky koalicion në përgjithësi kryeson në sondazhe. Koalicioni më i diskutuar aktualisht në Berlin është ai mes CDU/CSU me ekologjistët dhe liberalët, pozitiv vlerësohet edhe një koalicion mes SPD-së dhe ekologjistëve e liberalëve, por për këtë fillimisht SPD-ja duhet të fitojë me Martin Schulzin, gjë që prej javësh nuk duket të jetë kështu.

AfD forca e tretë

Në pyetësorin e së dielës, se cila parti do të zgjidhej, CDU/CSU dhe FDP kanë humbur respektivisht nga një pikë. Për një koalicion mes CDU/CSU dhe liberalëve ndërkohë shumica është e pamjaftueshme. Por ajo që bie në sy është forcimi i partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD, me 11%, që do të ishte kështu forca e tretë në parlament. Nëse do të ketë përsëritje të koalicionit me bazë të gjerë, atëherë populistët e djathtë sipas stadit të tanishëm do të ishin grupi më i fortë parlamentar i opozitës në Bundestag.