Botë

“Thyhet” miqësia mes Kinës dhe Rusisë?

Vladimir Putin & Xi Jinping

Eksportet e Kinës në Rusi në mars kanë rënë për herë të parë që nga mesi i vitit 2022, mes kërcënimeve në rritje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione ndaj Pekinit nëse eksportet kineze ndihmojnë Moskën në luftën kundër Ukrainës.

Sipas të dhënave të doganave kineze, eksportet e Kinës drejt Rusisë në mars ranë me gati 16 për qind krahasuar me një vit më parë, raporton Bloomberg.

Presidenti rus Vladimir Putin mund ta ngrejë këtë çështje në takimin që do ta ketë me homologun kinez Xi Jinping muajin e ardhshëm. Sipas burimeve, Rusia e sheh ngadalësimin e eksporteve kineze si “të përkohshme”.

Tregtia midis Rusisë dhe Kinës arriti rekord prej 240 miliardë dollarësh vitin e kaluar, falë naftës ruse dhe eksporteve të veturave, pajisjeve industriale dhe pajisjeve elektronike. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen vizitoi Kinën javën e kaluar dhe paralajmëroi për “pasoja të rënda” për bankat dhe eksportuesit kinezë nëse ato rrisin aftësitë ushtarake të Rusisë.

Kjo pasoi disa ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden, në një bisedë telefonike me Xi Jinping, shprehu shqetësimin për “mbështetjen e Kinës për bazën e mbrojtjes dhe industriale të Rusisë”.

Bankat e mëdha kineze ndaluan pranimin e pagesave me juanë [monedha kineze] nga Rusia dhe filluan t'u kthejnë klientëve transaksione të tilla. Në fund të marsit, bankat kineze filluan të bllokojnë pagesat nga kompanitë ruse që blejnë komponentë për montim elektronik.

Tregtia e Turqisë me Rusinë po zvogëlohet gjithashtu nën presionin e sanksioneve, duke goditur linjën kyçe të furnizimit për Moskën që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian thonë se fuqizon “makinerinë e saj të luftës”.

Totali i importeve ruse në mars u ul me 18 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Banka e Rusisë.