Botë

Bernd Fabritius: Gjithnjë e më shumë shtete po keqpërdorin Interpolin

Përmes Interpolit po ndiqen gjithnjë e më shpesh qëllime politike, kritikon i ngarkuari i Këshillit të Europës, Bernd Fabritius në intervistë me DW. A vlen kjo edhe për rastin e shkrimtarit Akhanli?

Deutsche Welle: Zoti Fabritius, rasti i arrestimit të shkrimtarit turko-gjerman, Dogan Akhanli, me kërkesë të Turqisë ka shkaktuar valë reagimesh. Ju keni studiuar keqpërdorimin e të ashtuquajturave “red notices”, arrestime në bazë kërkesash të futura në sistemin e Interpolit. A përshtatet rasti Akhanli në këtë model?

Bernd Fabrititius: Pa dyshim. Ky është për fat të keq një nga shumë raste. Ka të dhëna të qarta, se Turqia në kohët e fundit ka memorizuar shumë “red notices” - (shënim i emrit të personit me të kuqe) të tilla në sistemin e Interpolit. Ky është një mekanizëm përndjekjeje, që në rast të përdorimit normal lufton kriminalitetin botëror. Por dihet edhe se, gjithnjë e më shumë shtete, e keqpërdorin këtë instrument për të përndjekur persona të padëshiruar, politikanë të opozitës, kritikë të regjimit apo mbrojtës të të drejtave të njeriut. Turqia është sigurisht një nga shtetet, që pas puçit, me përfytyrimet e saj për shkeljet ligjore e penalizimin e keqpërdor për këtë sistemin e Interpolit.

Deutsche Welle: Turqia thekson se rasti Akhanli nuk është politik. Bëhet fjalë për një procedurë për shkak të vrasjes me motiv vjedhjen. A mund të thuhet se edhe në këtë rast ajo e keqpërdor Interpolin?

Bernd Fabrititius: Nëse ky rast është keqpërdorim, kjo do të duket më vonë. Për këtë kam kërkuar që komisioni i posaçëm i Interpolit të verifikojë me imtësi këtë. Dihet që Turqia ka pasur raste të tilla. Interpoli është le të themi një platformë lajmesh dhe merr një kërkesë arrestimi të një shteti, në këtë rast Turqisë. Shtetet e tjera kanë akces në këtë sistem dhe mund të shohin që një shtet kërkon një person. Por masat që ky vend merr, lidhen gjithmonë me ligjin e vendit. Në këtë rast Spanja duhet të verifikojë, nëse kërkesa për ekstradimin e tij që duhet të paraqesë Turqia i përgjigjet edhe kritereve që duhet të përmbajë një ekstradim. Jam kurioz, nëse Turqia do ta dërgojë një kërkesë të tillë.

Sepse shumë vende bëjnë një “red notice” vetëm me qëllim pengimi. E pastaj nuk paraqesin asnjëherë një kërkesë ekstradimi, sepse tremben, se pas kësaj kërkese fillon verifikimi i kritereve dhe se ndoshta e dinë se një kërkesë e tillë nuk do të ketë sukses. Turqia bën pjesë tek vendet, ku shënimi me të kuqe duhet parë mirë.

Deutsche Welle: Në raportin tuaj për Këshillin e Europës, thuhet se ka mjaft raste, në të cilat vende të ndryshme autoritare e keqpërdorin “red notices”. Ka dështuar Interpoli?

Bernd Fabrititius: Interpoli nuk ka reaguar në kohë ndaj shtimit të padrejtësive të shteteve të ndryshme. Po të shohësh që në 10 vitet e fundit është shumëfishuar numri i “red notices”, atëherë duheshin marrë masa të forta për të vëzhduar këtë fenomen. Komisioni duhet të ketë më shumë personel. Për shembull nuk duhen vendosur për herë të dytë “red notices”, kur një procedurë është mbyllur, si në rastin e Akhanlit, që në Turqi është gjykuar njëherë dhe është liruar nga akuzat.

“Red notice” duhet të vendoset vetëm në rast akuzash të reja. Nuk di që Turqia të ketë akuza të reja për Akhanlin. Por fakt është se Akhanli si qytetar gjerman pengohet nga Turqia të udhëtojë dhe të kthehet në vendin e tij. Nëse provohet se Turqia e ka keqpërdorur rastin, atëherë ky do të ishte një moment, kur Interpoli duhet të reagojë me sanksione.

Deutsche Welle: Çfarë sanksionesh për shembull?

Bernd Fabrititius: Për momentin ekzsiton mundësia të përjashtohesh nga sistemi i Interpolit për një kohë të caktuar, pra nuk ke akces. Kjo do të thoshte që Turqia nuk mund të dërgonte më shënime të tilla.

Deutsche Welle: Nga cilat vende keqpërdorohen më shumë “red notices”?

Bernd Fabrititius: Interpoli nuk mban statistika për këtë. Këtë unë e kërkoj. Por Interpoli mban statistika, se nga cilat vende vijnë kërkesat më të shpeshta nga persona me “red notices” që potencialisht mund të jenë të keqpërdorura. Në këtë listë qëndron në krye Rusia, e ndjekur nga Ukraina. Turqia ndodhet në vendin e 10-të. Kjo do të thotë që në popullsitë e këtyre vendeve sundon frika se vendi i tyre i keqpërdor “red notices”.

(Bernd Fabritius është deputet i CSU-së në Bundestag dhe raportues i ngarkuar i Këshillit të Europës për keqpërdorimin e sistemit të Interpolit)