Botë

Nga sulmet e koalicionit në Siri vriten 42 civilë

Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë vrarë të paktën 42 civilë në qytetin sirian Raqqa gjatë 24 orëve të fundit, thonë aktivistët dhe mediat shtetërore, transmeton oranews.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se të vdekurit përfshinin 19 fëmijë dhe 12 gra. Ndërsa grupi i aktivistëve, i quajtur “Raqqa është duke u therur në heshtje”, raporton se 32 persona janë vrarë gjatë sulmeve ajrore në një lagje të vetme.

Sulmi ajror me bombë ka ardhur pasi koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte targetuar lagjet e kontrolluara nga ISIS.

Ndaj akuzave të bëra nga aktivistët dhe mediat shtetërore ndaj SHBA, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se të gjitha akuzat për viktima civile po merren seriozisht.

“Forcat e koalicionit punojnë me zell dhe me qëllim që të jenë të saktë në sulmet ajrore,”-është shprehur një zëdhënës i CENTCOM për The Independent. “Forcat e koalicionit respektojnë ligjin e konfliktit të armatosur dhe marrin të gjitha masat paraprake gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të sulmeve ajrore për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të civilëve”.