Botë

Merkel: Nuk do të jem pjesë e biznesit pasi të mbyll karrierën politike

Descriptive Text

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se pasi të mbyllë karrierën politike, nuk do të pranojë një post në botën e sipërmarrjes, duke kritikuar paraardhësin e saj, Gerhard Schroder, i cili është bërë pjesë e gjigantit rus të naftës “Rosneft”.

“Mendoj se ajo që po bën zoti Shchroder nuk është mirë, mbi të gjitha tek Rosneft”, tha ajo në një interviste për gazetën gjermane “Bild”.

“Kur të mos jem më kancelare, nuk kam qëllim të marr një post në botën e biznesit”, shtoi drejtuesja konservatore, në fushatë për një mandat të katërt në zgjedhjet legjislative të 24 shtatorit.

Socialdemokrati Gerhard Schroder, kancelar nga viti 1998 deri në humbjen e tij kundër Merkel në vitin 2005, është një mik i vjetër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas humbjes së tij elektorale, ai u bë kryetari i komitetit të aksionarëve të kompanisë “Gazprom”, që shfrytëzon gazsjellësin “Nord Stream”, që shpërndan gaz nga Rusia drejt Gjermanisë nëpërmjet Detit Baltik.