Botë

Në Afganistan zbulohen varreza masive

Policia afgane e ka zbuluar një varrezë masive me trupat e së paku 36 të vrarëve gjatë një sulmi aktual militant në një fshat, kanë thënë sot zyrtarët.

Zëdhënësi i guvernatorit në provincën Sari Pul, Zabibullah Amani, tha se në një varrezë ishin 28 trupa të pajetë dhe në tjetrën tetë.

“Shumica e viktimave ishin me kokë të prerë”, tha Amani, duke theksuar se të gjithë ata ishin meshkuj, përfshirë tre djem të moshës ndërmjet 8 ose 15 vjeçare.

Forcat policore po zhvillojnë kërkime për më tepër varreza të mundshme.

Sot janë varrosur disa trupa të pajetë.

Zyra e guvernatorit të provincës, Sari Pul, tha se së paku 62 vetë janë konfirmuar të vrarë nga sulmi në fshatin Mirzawaland, javën e kaluar, ndërsa numri i të vrarëve mund të rriteet.

Komisioni i pavarur për të drejtat e njeriut në Afganistan tha se hetimi preliminar ka sugjeruar se militantët nga grupi taliban dhe ekstremistët e Shtetit Islamik, që janë armiq të mëdhenj, kësaj radhe kishin vepruar së bashku.

Por, talibanët thanë se e kanë kryer sulmin të vetëm dhe nuk kanë vrarë civilë.

Shteti Islamik në deklaratën e vet më 14 gusht ka pretenduar se e ka udhëhequr sulmin dhe i ka vrarë afro 54 myslimanë shiitë, që është grup pakicë në Afganistan, që shpeshherë u është nënshtruar sulmeve të grupit ekstremist, Shteti Islamik.