Botë

Shtohen përpjekjet për “kapjen e mediave” në Evropë

“Gazetaria dhe gazetarët janë nën kërcënim si asnjëherë më parë. Nëse shikoni kushtet në Evropë, qëllimi për të provuar të heshtën gazetarët është rritur”, ka deklaruar Tom Gibson, përfaqësues i CPJ-së për Evropë

Reporterët në barë Evropën po punojnë në kushte gjithnjë e më sfiduese, derisa po rriten edhe përpjekjet për heshtjen e tyre, ka bërë të ditur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Në një studim të gjerë të publikuar të mërkurën, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se derisa Bashkimi Evropian ka iniciuar ligje për mbrojtjen e lirisë së mediave gjatë viteve të fundit, janë zvarritur përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për luftimin e kërcënimeve kundër gazetarëve brenda Bashkimit Evropian.

Kufizimet

“Disa qeveri përdorën pandeminë e COVID-19 për t’i kontrolluar mediat, përfshirë kufizimin e qasjes gazetarëve dhe me ndaljen e informacionit të interesit publik. Pushtimi rus i Ukrainës më 2022 ka testuar aftësinë e BE-së për t’i mbrojtur gazetarët”, thuhet në raport.

Më shumë se dhjetë gazetarë u vranë vjet në Ukrainë, derisa shumë të tjerë u shënjestruan në Rusi prej ligjeve të censurës së luftës së autoriteteve së Moskës.

Në indeksin e tij botëror të lirisë së shtypit, nëntë prej dhjetë vendeve janë Evropë, por CPJ-ja argumenton se mjedisi po bëhet gjithnjë e më i vështirë për të raportuar.

“Gazetaria dhe gazetarët janë nën kërcënim si asnjëherë më parë. Nëse shikoni kushtet në Evropë, qëllimi për të provuar të heshtën gazetarët është rritur”, ka deklaruar Tom Gibson, përfaqësues i CPJ-së për Evropë.

“Më 2017, institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel u tronditën me vrasjen e gazetares malteze, Daphne Caruana Galizia, dhe vrasjen e pastajme të gazetarit sllovak, Jan Kuciak, më 2018. Këto ishin katalizator për bllokun që të merrte veprime për të mbrojtur gazetarët”.

“Kemi parë rritje të përditshme të ngacmimeve online dhe kërcënime dixhitale kundër gazetarëve, përfshirë kërcënime nga individë të pasur dhe të pushtetshëm, të cilët duan t’i heshtin nëpërmjet padive për shpifje, të quajtur SLAPP – ose padi strategjik kundër pjesëmarrjes publike”, thuhet në raport.

Gibson ka denoncuar mungesën e mbështetjes për median e pavarur, duke e përshkruar atë që e ka quajtur “kapje të mediave në disa shtete të Bashkimit Evropian”.

Disa “qeveri mundohen të kontrollojnë mediat duke i financuar dhe minuar gazetarinë e pavarur”, ka shtuar ai. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u ka bërë thirrje shteteve anëtare të bllokut evropian të përmirësojnë rolin e BE-së si lider botëror për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Çfarë ka ndërmarrë BE-ja?

Në fjalimin e saj të përvitshëm para Parlamentit Evropian, Urusla von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, spikati se Evropa duhet të miratojë një ligj për të mbrojtur lirinë e medias.

Atëherë, qeveritë e Bashkimit Evropian, si Hungaria, u akuzuan se po mundohen të kontrollojnë kompanitë mediatike dhe të burgosin gazetarë pse raportuan për pandeminë e koronavirusit.

Në shtator 2022, Komisioni Evropian aprovoi Aktin evropian të lirisë së mediave (EMFA), me të cilin kërkoi mbrojtjen e e “pluralizimit dhe pavarësinë mediatike në BE”.

Por sipas Gibsonit, disa shtete të Bashkimit Evropian po përpiqen të ndalojnë zbatimin e EMFA-s, meqë adreson kërcënimet e “kapjes së mediave” dhe gjithashtu një direktivë anti-SLAPP.

I biri dhe gazetari hulumtues i gazetares malteze, Daphne Caruana Galizia, Matthew, e di fort mirë çfarë do të thotë kjo betejë.

“Ne përnjëmend ishim të lumtur kur Komisioni Evropian doli me legjislacionin e propozuar për luftimin e padive SLAPP kundër gazetarëve”, ka theksuar ai.

“Por fakti se disa shtete të BE-së po mundohen ta heqin qafe nuk do t’i ndihmojë gazetarët, të cilët mbase janë duke u marrë me problemet e njëjta që nëna ime po i hulumtonte, si përballja me një mal rastesh për shpifje që pothuajse të gjitha janë abuzive”, ka shtuar ai.

Përktheu: Rexhep Maloku