Botë

Historia e marrëdhënies së Trumpit me yllin e pornografisë

Stormy Daniels pretendoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Donald Trump një herë në dhomën e tij të hotelit në Lake Tahoe, zonë turistike midis Kalifornisë dhe Nevadës. Ish-presidenti ka mohuar se ka pasur ndonjë përfshirje seksuale me zonjën Daniels, që kur akuzat u shfaqën në vitin 2018

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të përballet me aktakuzë në lidhje se ka paguar ish-aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, për t’ia mbyllur gojën gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016.

Stormy Daniels pretendon se ajo dhe Trumpi kishin kryer marrëdhënie seksuale dhe se ajo pranoi 130 mijë dollarë nga ish-avokati i tij përpara zgjedhjeve të 2016-s në këmbim të heshtjes së saj. Avokati Michael Cohen u burgos më vonë me akuza të shumta.

Ish-presidenti ka mohuar se ai ka pasur ndonjë përfshirje seksuale me Danielsin, që kur akuzat u shfaqën në vitin 2018.

Historia e Daniels

Stormy Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ka thënë në intervista për media se u takua me Trumpin në një turne bamirësie golfi në korrik të vitit 2006.

Ajo pretendoi se dyshja kishin kryer marrëdhënie seksuale një herë në dhomën e tij të hotelit në Lake Tahoe, zonë turistike midis Kalifornisë dhe Nevadës. Një avokat i Trumpit "me forcë" e mohoi këtë në atë kohë.

"Ai nuk dukej i shqetësuar për këtë. Ai ishte disi arrogant", tha ajo në përgjigje të pyetjes së një intervistuesi, duke pyetur nëse Trumpi i kishte thënë të heshtte për natën që kishin kaluar.

Gruaja e Trumpit në atë kohë, Melania Trump, nuk ishte në turne dhe sapo kishte lindur fëmijën e saj.

Kërcënimet ndaj Daniels

Në vitin 2016, disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Stormy Daniels tha se avokati i Trumpit, Michael Cohen i pagoi asaj 130 mijë dollarë për ta mbajtur të heshtur për këtë çështje. Ajo tha se i mori sepse ishte e shqetësuar për sigurinë e familjes së saj. Stormy Daniels tha se ishte kërcënuar ligjërisht dhe fizikisht për të heshtur.

Në vitin 2011, pak pasi pranoi të jepte një intervistë për revistën “In Touch”, në lidhje me marrëdhënien e supozuar, ajo tha se një burrë i panjohur i ishte afruar asaj dhe vajzës së saj të mitur në një park makinash në Las Vegas dhe i kishte thënë që "të linte Trumpin të qetë".

"Kjo është një vajzë e vogël e bukur. Do të ishte turp nëse diçka do t'i ndodhte nënës së saj", kujtoi ajo në një intervistë të vitit 2018 me “60 Minutes” të CBS-së.

Intervista me In Touch nuk do të publikohej e plotë deri në vitin 2018.

Përpara se të transmetohej edicioni i “60 Minutes”, një kompani e lidhur me avokatin Cohen kërcënoi Stormy Daniels me një padi prej 20 milionë dollarësh, duke argumentuar se kishte thyer marrëveshjen e tyre të moszbulimit (NDA), ose "marrëveshjen e heshtjes".

Stormy Daniels tha për emisionin CBS se po rrezikonte një gjobë prej miliona dollarësh duke folur në televizionin kombëtar, por "ishte shumë e rëndësishme për mua që të jem në gjendje të mbroj veten".

Pagesa për “mbyllje goje”

Nuk është e paligjshme t'i paguash dikujt kompensim në këmbim të heshtjes. Por meqenëse pagesa u bë një muaj para zgjedhjeve presidenciale, kritikët e Trumpit argumentuan se paratë mund të përbënin një shkelje të fushatës. Në gusht të vitit 2018, avokati Cohen u deklarua fajtor për evazion fiskal dhe thyerje të rregullave të financimit të fushatës, pjesërisht në lidhje me pagesën e tij ndaj Stormy Daniels dhe një dashnoreje tjetër të supozuar të Trumpit.

Edhe pse fillimisht ai tha se Trumpi nuk kishte asnjë lidhje me pagesat, Coheni më vonë dëshmoi nën betim se Trumpi e kishte urdhëruar atë të bënte pagesën e heshtur prej 130 mijë dollarësh disa ditë përpara zgjedhjeve të 2016-s.

Ai tha gjithashtu se presidenti e rimbursoi atë për pagesën.

Trumpi e ka pranuar personalisht rimbursimin e pagesës, e cila nuk është e paligjshme, por ka mohuar aferën dhe çdo keqbërje në lidhje me ligjet e fushatës.

Coheni u burgos për akuza të shumta, pasi u deklarua fajtor për shkeljen e ligjeve gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Pse u padit Trumpi?

Në fillim të këtij viti, Prokurori i Qarkut të New Yorkut, Alvin Bragg, krijoi një juri të madhe për të hetuar nëse kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht ish-presidentin për paratë e paguara ndaj Stormy Daniels.

Një juri e madhe mbahet me dyer të mbyllura dhe ngrihet nga një prokuror për të përcaktuar nëse ka prova të mjaftueshme për t’i ndjekur akuzat në një çështje.

Të enjten, ajo juri thuhet se votoi për ngritjen e akuzave penale, duke e bërë Trumpin ish-presidentin e parë të SHBA-së që përballet me to. Nuk dihet ende se çfarë akuzash do të ngrihen.

Në rrjetin e tij të mediave sociale, Truth Social, Trumpi e quajti hetimin një gjueti politike shtrigash nga një "sistem drejtësie i korruptuar, i shthurur dhe i armatosur".

Përktheu: Forca Jashari