Botë

Fabrika e çelikut në Ukrainë, që po u reziston bombardimeve ruse

Në fabrikën e çelikut Zaporizhstal jeta ende rrotullohet rreth furrave të çelikut, edhe nëse vetëm tre nga katër funksionojnë. Fëshfëritja e pamëshirshme mbush ajrin, i cili është i ngjyrosur me ngjyrën e athët, acidike të squfurit që rezulton nga ndarja e depozitave të metalit dhe mbetjeve. Ukrainasit vazhdojnë të punojnë – duke përballuar jo vetëm nxehtësinë intensive, por edhe kërcënimin nga granatimet

Xhaketat mbrojtëse janë të grumbulluara në fabrikën e çelikut Zaporizhstal të Ukrainës dhe minat kundër tankeve ruajnë hyrjen. Sa herë që sirenat e sulmit ajror dëgjohen - dhe ato dëgjohen çdo ditë - shumica e punëtorëve drejtohen në një nga 16 bunkerët e fabrikës.

Por disa vazhdojnë të punojnë – duke përballuar jo vetëm nxehtësinë intensive dhe xixat që fluturojnë nga furrat e farkëtimit të çelikut, të përdorur në çdo gjë, nga makinat hekurudhore te pajisjet shtëpiake, por edhe kërcënimin nga granatimet – për të mbajtur metalin e shkrirë në lëvizje.

Qyteti jugperëndimor i Zaporizhzhias, nga i cili ka marrë emrin edhe fabrika, është më pak se 50 kilometra larg nga vija e frontit dhe ndërtesat e banimit e infrastruktura energjetike janë një objektiv i shpeshtë rus. Ndikimi i luftës ka bërë që fabrika të funksionojë nën kapacitetin e plotë, me një të tretën e 10 mijë punëtorëve të saj tanimë të papunë.

Dëmi në industrinë e metaleve të Ukrainës ka gjymtuar një sektor fitimprurës dhe punëdhënësin kryesor të nevojshëm për të mbështetur një ekonomi të shkatërruar nga lufta. Përpjekjet për të rivendosur prodhimin dhe për të lëvizur mallrat përsëri te klientët në mbarë botën do të jenë vendimtare për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.

Image
Dëmi në industrinë e metaleve të Ukrainës ka gjymtuar një sektor fitimprurës dhe punëdhënësin kryesor të nevojshëm për të mbështetur një ekonomi të shkatërruar nga lufta. Përpjekjet për të rivendosur prodhimin dhe për të lëvizur mallrat përsëri te klientët në mbarë botën do të jenë vendimtare për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.

Efekti i luftës

Një shtyllë e ekonomisë para luftës, industria e metaleve përbënte një të tretën e mallrave që eksportonte Ukraina, por ajo është përmbysur nga forcat ruse që kanë marrë kontrollin e qendrës industriale - rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Për kompaninë e çelikut dhe minierave, Metinvest, ngadalësimet në fabrikën e çelikut në Zaporizhstal janë vetëm një pjesë e dhimbjes. Qëkur Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, kompania ka humbur pajisjet dhe objektet në zonat e kontrolluara nga Rusia, ka parë punëtorët të shkojnë në vijën e parë të frontit dhe nuk ka mjaftueshëm siguri për t'u zhvilluar.

Por “dëmi më i madh që kemi pësuar është dëmi i shkaktuar në ekonominë e Ukrainës”, tha drejtori ekzekutiv i Metinvestit, Yurii Ryzhenkov. “Kur vendi dëmtohet, kompania vuan nga kjo, jo më pak se nga goditjet direkte të predhave”.

Në fabrikën e çelikut Zaporizhstal jeta ende rrotullohet rreth furrave të çelikut, edhe nëse vetëm tre nga katër funksionojnë. Fëshfëritja e pamëshirshme mbush ajrin, i cili është i ngjyrosur me ngjyrën e athët, acidike të squfurit që rezulton nga ndarja e depozitave të metalit dhe mbetjeve.

Kostumet prej argjendi të punëtorëve reflektojnë dritën verbuese që buron nga metali i kuq, i shkrirë, që përvëlohet në furrë, ku temperaturat arrijnë në 1500 gradë celsius. Procesi duket i ngarkuar, por punëtorët e dinë se po shkrijnë më pak metal sesa para luftës. “Ne jemi të kufizuar, sa u përket lëndëve të para, ashtu edhe shitjeve”, tha Oleh Ilin, mjeshtri i furrës së çelikut.

Dëmtimi i infrastrukturës

Ndryshe nga ndërmarrjet e tjera industriale në Ukrainë, Zaporizhstali nuk u dëmtua nga zjarri i artilerisë ose sulmet me raketa. Por si shumë të tjera, zhvillimi i saj është penguar nga ndërprerjet e energjisë nga sulmet me raketa ruse, dëmtimi i infrastrukturës dhe bllokimi i porteve të Detit të Zi.

Kjo e fundit është një nga sfidat më të mëdha për Zaporizhstalin, ku puna është ndërprerë vetëm dy herë në historinë e saj pothuajse 90-vjeçare - gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Trupat ruse u ndaluan vetëm dhjetëra kilometra larg uzinës pranverën e kaluar, por pothuajse një vit më vonë, ajo nuk ka qenë në gjendje të rikuperohet plotësisht.

Çmimet janë më të larta për produktet që prodhon Zaporizhstali dhe ato janë më të vështira për t'u arritur te klientët. Trenat në vend të anijeve lëvizin kryesisht porositë, duke rritur çmimet jo vetëm për transportin, por edhe për prodhimin dhe lëndët e para.

Përpara luftës, Zaporizhstali mund të kompletonte një grumbull shiritash çeliku të përdorura në pajisje si frigoriferë, për shembull, dhe ta dorëzonte brenda një ose dy muajsh, tha Roman Slobodianiuk, drejtor i përgjithshëm i Zaporizhstalit. Tani mund të duhen tre muaj ose më shumë.

“Jo çdo klient është i gatshëm të marrë rreziqe të tilla. Kështu që ne u detyruam të reduktonim shtrirjen gjeografike të klientëve tanë”, tha ai.

Zaporizhstali punonte me klientë në pothuajse 60 vende - kjo është zvogëluar përgjysmë. Lufta ndikoi në aftësinë e saj për të përmbushur nevojat në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe në shumë vende afrikane.

“Para luftës, rreth 90% e produkteve metalurgjike eksportoheshin përmes detit, sepse ishte shumë më lirë”, tha Dmytro Goriunov nga Qendra për Strategjinë Ekonomike të Ukrainës.

Tani, uzina fokusohet në vendet më të afërta evropiane dhe tregun e SHBA-së, i cili mund të arrihet përmes porteve detare polake.

Rreth një e treta e kapacitetit të industrisë së metaleve është shkatërruar dhe prodhimi është rreth 65% më i ulët, sipas të dhënave nga shoqata e industrisë Ukrmetallurgprom dhe Oxford Economics.

Image
Ndryshe nga ndërmarrjet e tjera industriale në Ukrainë, Zaporizhstali nuk u dëmtua nga zjarri i artilerisë ose sulmet me raketa. Por si shumë të tjera, zhvillimi i saj është penguar nga ndërprerjet e energjisë nga sulmet me raketa ruse, dëmtimi i infrastrukturës dhe bllokimi i porteve të Detit të Zi.

Dëmi i bizneseve

Instituti KSE i Ukrainës vlerësoi se dëmi i bizneseve ukrainase në tërësi nga lufta arrin në 13 miliardë dollarë. Prodhimi ekonomik u tkurr me rreth një të tretën në vitin 2022 dhe Ministria e Ekonomisë parashikon rritje prej vetëm 1% këtë vit.

Qeveria mbështetet në donacionet nga aleatët si Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja për të paguar pagat dhe pensionet e qytetarëve, duke e ndihmuar atë të shmangë shtypjen e parave që mund të nxisin inflacionin. Ukraina mori javën e kaluar një paketë kredie prej 15.6 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Metinvesti, po përpiqet të rindërtohet pasi humbi dy objekte të mëdha në Rusi, duke përfshirë fabrikën e çelikut, Azovstal, ku ukrainasit u përballën me një rrethim rus në Mariupol.

Maksym Notchenko, 41 vjeç, një ish-punëtor i Azovstalit, pa nga distanca teksa uzina ishte e rrethuar nga sulmet ruse: "Ishte sikur të të prisnin copa të trupit".

Ai iku dhe filloi punën në Zaporizhstal prillin e kaluar. Rreth 20 mijë punëtorë të tjerë të Metinvestit bënë të njëjtën gjë, duke lënë territoret e pushtuara ose luftimet e vijës së parë të frontit. Para pushtimit, Metinvesti kishte rreth 100 mijë punëtorë - tani numri është 85 mijë.

Ryzhenkovi, drejtori ekzekutiv, tha se rivendosja e zinxhirëve të furnizimit, kryesisht zhbllokimi i porteve të Detit të Zi, do të ringjallë kompaninë.

“Një tipar i ukrainasve, që pavarësisht gjithçkaje që na ndodh, ne vazhdojmë të punojmë, shpikim mënyra të reja pune, si të jemi efektivë në çdo situatë”, tha Ryzhenkovi.

Ai thotë se mënyra e vetme për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e Metinvestit është çlirimi i të gjitha territoreve të kontrolluara nga Rusia, përfshirë Krimenë. Kjo është arsyeja pse kompania investon në burime për të mbështetur forcat ukrainase.

“Fitorja e tyre mund të garantojë Ukrainën dhe biznesin që mund të zhvillohet këtu”, tha Ryzhenkovi.

Përktheu: Forca Jashari