Botë

Përplasje mes Bidenit dhe Netanyahut

Descriptive Text

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar thirrjen e presidentit amerikan Joe Biden për të tërhequr reformat e propozuara gjyqësore që kanë çuar në protesta masive në të gjithë Izraelin. Netanyahu ka thënë se nuk merr vendime në bazë të presionit nga jashtë.

Netanyahu e shtyu propozimin të hënën pasi një numër i madh njerëzish dolën përsëri në rrugë. Shtëpia e Bardhë fillimisht sugjeroi që Netanyahu të kërkonte kompromis, por Bideni, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, specifikoi saktësisht se çfarë lloj lëvizjeje priste nga Netanyahu.

“Shpresoj që ai të tërhiqet nga ajo [reforma]”, ka thënë Biden, sipas The Guardian.

“Ashtu si shumë mbështetës të fortë të Izraelit, unë jam shumë i shqetësuar... Ata nuk mund të vazhdojnë në këtë rrugë dhe unë e kam bërë të qartë këtë. Shpresoj se kryeministri (Netanyahu) do të veprojë në një mënyrë që të përpiqet të gjejë një kompromis të vërtetë, por kjo mbetet për t'u parë”, theksoi Biden gjatë një vizite në Karolinën e Veriut.

Ai shtoi se nuk po mendonte ta ftonte liderin izraelit në Shtëpinë e Bardhë “në të ardhmen e afërt”. Më parë, ambasadori i SHBA-së në Izrael, Tom Nides ka thënë se Netanyahu pritet të ftohet në Shtëpinë e Bardhë me Bidenin “sapo të bien dakord për oraret e tyre”.

Netanyahu shumë shpejt iu përgjigj Bidenit me një deklaratë.

“Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet me vullnetin e popullit të tij, dhe jo në bazë të presionit nga jashtë, duke përfshirë edhe miqtë më të mirë. Unë e njoh presidentin Biden për më shumë se 40 vjet dhe vlerësoj angazhimin e tij afatgjatë për Izraelin”, ka thënë ai.

Ai vazhdoi duke thënë se aleanca izraelito-amerikane është e pathyeshme dhe “gjithmonë kapërcen mosmarrëveshjet e herëpashershme”.

“Administrata ime është e përkushtuar për të forcuar demokracinë duke rivendosur ekuilibrin e duhur midis tre degëve të qeverisjes, të cilin ne kërkojmë ta arrijmë përmes konsensusit të gjerë”, përfundoi ai.