Botë

Gratë, pjesë e protestës kundër Netanyahut në Izrael

Qindra gra janë bërë pjesë e protestës kundër planeve të Benjamin Netanyahut për reforma në sistemin gjyqësor të Izraelit. Këto gra e kanë shpallur veten si “gjyshet e demokracisë”

Qindra gra izraelite të vetëshpallura si “gjyshet e demokracisë” kanë protestuar në Tel-Aviv kundër planeve të Qeverisë për reforma në sistemin gjyqësor.

Disa prej këtyre “gjysheve” kanë thënë se koalicioni qeverisës i krahut të djathtë ekstrem ka cenuar demokracinë e Izraelit dhe ka shuar ndjenjën e lirisë dhe kënaqësisë në këtë shtet.

“Jam duke protestuar që të jetë vend më i mirë për nipat dhe përgjigjja jonë është demokracia. Jam shumë e shqetësuar me situatën”, ka thënë Irit Versano, protestuese.

Aleatët e kryeministrit Benjamin Netanyahu janë duke insistuar se gjykatat kanë shumë pushtet në proceset legjislative dhe se Gjykata Supreme është kundër kolonizimit të territorit palestinez.

“Jam këtu sepse jam mbijetuese e Holokaustit dhe kur erdha në Izrael erdha te një shtet i lirë dhe demokratik. Ishte mirë deri sot, deri para kësaj që po ndodh. Tani e ndiej se na kanë marrë lirinë dhe kënaqësinë në këtë shtet”, ka thënë Ruth Shani, protestuese.

Kritikët kanë thënë se reformat në gjyqësor do të cenonin sistemin delikat të shtetit dhe do ta vendosnin Izraelin në rrugën drejt autoritarizmit.

Ata kanë insistuar se Netanyahu mund të gjejë rrugën për t’i ikur procesit gjyqësor për akuzat për korrupsion.

Kriza politike ka përçarë shtetin dhe ka përfshirë edhe ushtrinë, institucionin më të besuar të Izraelit.

Shumë rezervistë nuk janë paraqitur në detyrë me arsyetimin se po punojnë në një regjim.