Botë

Macron: Nuk do të tërhiqem për rritjen e moshës së pensionit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar të mërkurën se nuk do të tërhiqet për rritjen e moshës së pensionit në Francë, raportoi “The Guardian”.

Në një intervistë televizive, Macroni përjashtoi shpërndarjen e parlamentit, riorganizimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministres Elisabeth Borne, siç ka kërkuar opozita.

Ai ka shprehur besimin e tij të plotë te Borne, teksa ka thënë se i vjen keq që nuk ka arritur t’i bindë njerëzit për domosdoshmërinë e kësaj reforme.

“A është kënaqësi të bësh këtë reformë? A mund ta fshija nën qilim siç e kishin bërë të tjerët para meje? Kjo reformë nuk është luks apo kënaqësi, është e nevojshme për vendin”, është shprehur Macroni.

Kundërshtimi i gjerë ndaj rritjes së moshës zyrtare të daljes në pension nga 62 në 64 vjeç është shfaqur në rrugë gjatë ditëve të fundit, ku protestuesit u përleshën me policinë në qytete të ndryshime të Francës.