Botë

Qeveria e Macronit i shpëton mocionit të parë të mosbesimit

Emmanuel Macron - presidenti i Frances

Qeveria e Francës i ka shpëtuar mocionit të mosbesimit, që ishte iniciuar pasi presidenti Emmanuel Macron çoi para reformat pensionale, raporton BBC.

Mocioni, që u iniciua nga parlamentarët centristë, mori 278 vota pro, por nuk mori 287 vota sa duheshin për ta rrëzuar qeverinë.

Nëse do ishte i suksesshëm, Macron do të duhej të përcaktohej për një Qeveri të re, apo t’i shpallte zgjedhjet.

Një mocion i dytë i mosbesimit, që është iniciuar nga partia e djathtë ekstreme e Marine Le Pen, National Rally, ka filluar.

Mirëpo, mocioni i parë, që kishte mbështetjen e disa partive të krahut të majtë si ajo e Gjelbër dhe Socialiste, kishte gjasat më të mëdha për të dalë i suksesshëm.

Mocionet u iniciuan pasi kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, përdori një nen në Kushtetutë për të shtyrë para një projektligj pa votim në Kuvend.

Që nga atëherë, mijëra qytetarë në Francë kanë dalë në rrugë duke protestuar.

Nëse edhe mocioni i dytë – siç pritet – del i pasuksesshëm, atëherë projektligji për ta rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjet do të bëhet ligj.