Botë

Katër palestinezë të vrarë në operacionin e forcave izraelite në Jenin

Të paktën katër palestinezë janë vrarë të enjten dhe 24 të tjerë janë plagosur pas një operacioni të Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) në Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë së Autoritetit Palestinez.

Sipas kësaj ministrie, pesë nga të plagosurit janë në gjendje kritike, raportoi CNN-i.

Përmes një deklarate, forcat izraelite të sigurisë kanë thënë se neutralizuan dy operativë të organizatës terroriste të Xhihadit Islamik Palestinez, të cilët dyshohen për aktivitete terroriste.

“Një person i tretë u neutralizua pasi u përpoq të sulmonte luftëtarët me një levë hekuri. Gjatë operacionit forcat kanë qëlluar në drejtim të personave të armatosur që kanë qëlluar drejt tyre, janë konstatuar lëndime. Gjithashtu, u zhvilluan trazira të dhunshme gjatë të cilave të dyshuarit hodhën gurë në drejtim të forcave”, thuhet më tej në deklaratë.

Hamasi njoftoi në një deklaratë se dy nga palestinezët e vrarë në Jenin ishin anëtarë të saj.

“Vrasja e dy liderëve të rezistencës nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Okupimi na ka gjykuar më parë, e di me siguri se përgjigja jonë po vjen dhe se marshimi i rezistencës vazhdon deri në çlirim”, thuhet në deklaratën e Hamasit.

Gjithsej 88 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i këtij viti, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, një numër që përfshin militantë dhe civilë. Që nga fillimi i vitit, 13 civilë izraelitë dhe një oficer sigurie janë vrarë në ato që zyrtarët izraelitë thonë se ishin sulme palestineze.