Botë

Greva e sektorit publik paralizon Francën

Descriptive Text

Punëtorët e shërbimeve kryesore publike kanë mbajtur sot grevë në mbarë Francën, duke shprehur zemërimin kundër planeve të Qeverisë së presidentit Makron për ngritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç. Derisa në Paris nuk janë mbledhur mbeturinat, në Bruksel zjarrfikësit kanë sulmuar selinë e Bashkimit Evropian me kërkesën për kushte më të mira pune

Mbledhësit e mbeturinave, punëtorët e shërbimeve dhe shoferët e trenave ishin mesin e protestuesve që mbajtën grevë në të gjithë Francën.

Ata po shprehin zemërimin kundër projekt-ligjit që rrit moshën e pensionit në 64 vjeç, të cilin sindikatat e shohin si kërcënim më të gjerë për modelin social francez.

Ndërkohë punëtorët e deponive të mbeturinave bllokuan një nga impiantet kryesore të menaxhimit të mbetjeve të kryeqytetit francez të martën në mëngjes.

"Pasojat janë se qindra tonelata mbeturina nuk janë mbledhur në Paris. Dhe gjithashtu, ju mund të shihni tymin që del nga oxhaku, ky është i fundit nga mbeturinat që u mblodhën javën e kaluar, por së shpejti ata do të ndalojnë djegien e mbeturinave këtu”, ka theksuar lideri i sindikatës në deponinë e mbeturinave, Regis Vieceli.

Mbledhësit e plehrave mund të dalin në pension ligjërisht në moshën 57-vjeçare me një pension të plotë, por drejtuesit e sindikatave thonë se shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje kronike dhe nuk duhet t'u kërkohet të punojnë më gjatë.

"Për momentin, njoftimi për grevë zgjatet deri në fund të marsit. Ka pasur thirrje që lëvizja të zgjasë deri në ndaljen e reformës së pensioneve. Varet nga punëtorët që, çdo natë, votojnë nëse do të vazhdojnë të nesërmen, kështu që ne do të shohim se çfarë do të dalë nga këto asamble të përgjithshme çdo mbrëmje”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e sindikatës CGT, Natacha Pommet.

Ndërkaq po sot në Bruksel, zjarrfikësit belgë sulmuan ndërtesën e Komisionit Evropian në Bruksel gjatë një demonstrate duke kërkuar kushte më të mira pune.

Zjarrfikësit, të cilët ishin mbledhur nga i gjithë vendi, fillimisht po demonstronin pranë ndërtesës së Parlamentit belg dhe zyrës së kryeministrit, përpara se të vendosnin të mësynin selinë e Komisionit Evropian aty pranë.