Botë

Zelensky zotohet t’i gjejë rusët që vranë ushtarin e burgosur ukrainas

Ukraina është zotuar të gjejë ushtarët rusë që me sa duket vranë një të burgosur lufte të paarmatosur ukrainas, pasi pamjet e rënda u shfaqën në internet.

"Ne do t'i gjejmë vrasësit”, ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në video shihet ushtari ukrainas teksa pi cigare në një kanal. Ai thotë “lavdi Ukrainës” para se të qëllohej me automatik, raportoi BBC-ja të martën.

Ai u identifikua të martën nga ushtria ukrainase si Tymofiy Shadura, i cili ishte zhdukur që nga 3 shkurti. Brigada e 30-të tha se ai u pa për herë të fundit pranë qytetit lindor të Bakhmut - skenën e luftimeve të ashpra në muajt e fundit.

“Aktualisht trupi i pajetë i ushtarakut tonë ndodhet në territorin e pushtuar përkohësisht”, thuhet në deklaratë.

Vrasësi ose vrasësit e supozuar - të cilët nuk shihen në klip, nuk janë identifikuar.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë kanë akuzuar trupat ruse për kryerjen e krimeve masive të luftës që kur presidenti, Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Rusia i mohon akuzat.