Botë

Një muaj nga tërmeti i Turqisë: 13 mijë paslëkundje

Descriptive Text

Një muaj nga tërmetet shkatërruese në Turqi e Siri, gati 46 mijë të vdekur vetëm në anën turke të kufirit e 6.000 në krahun tjetër dhe 13 mijë paslëkundje, njerëzit në zonat më të prekura ende jetojnë në frikë.

Të mbijetuarit përballen me një të ardhme të pasigurt - problemi më i madh i tyre i momentit është gjetja e një strehe të sigurt për të jetuar. 1.5 milionë njerëz janë pa shtëpi, dhe është e paqartë se sa kohë do të duhet për t’u gjetur atyre strehimin e duhur, ndërsa toka vazhdon të lëkundet.

Agjencia turke e emergjencave, e Afadit thotë se pothuajse dy milionë njerëz janë larguar nga zona e tërmetit. Disa jetojnë me miqtë ose të dashurit e tyre në pjesë të tjera të vendit. Fluturimet dhe trenat jashtë rajonit janë falas për ata që duan të largohen. Ka megjithatë, dhe nga ata që nuk duan të lëvizin.

“Frikë kemi, por nuk duam të ikim nga këtu. Është shumë e rëndësishme kjo për ne; këtu kemi ndërtuar jetën. Gjithçka që kemi, është këtu”- shprehet një banore.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan sakaq përballet me zgjedhjet e ardhshme mes zemërimit në rritje për reagimin e ngadaltë të qeverisë së tij ndaj tërmeteve të fuqishme që kanë goditur së fundmi Turqinë.

Udhëheqësi turk, i cili ka qenë në pushtet për një kohë të gjatë, po bën thirrje për unitet dhe ka premtuar një plan të madh strehimi për banorët e zonave të goditura nga tërmeti, një çështje që pritet të dominojë fushatën për zgjedhjet e 14 majit./tch