Botë

Kina me propozim 12-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Një vit pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Kina ka ofruar një propozim prej 12 pikash për t’i dhënë fund luftimeve. Propozimi vjen pas njoftimit të fundit të Kinës se po përpiqet të veprojë si ndërmjetëse në luftën që ka ringjallur aleancat perëndimore, të konsideruara nga Pekini dhe Moska si rivale.

Qeveria kineze e presidentit Xi Jinping ka përsëritur pretendimin e Kinës për të qenë neutrale, pavarësisht bllokimit të përpjekjeve në Kombet e Bashkuara për të dënuar pushtimin. Dokumenti i bën jehonë pretendimeve ruse se qeveritë perëndimore janë fajtore për nisjen e luftës së 24 shkurtit 2022 dhe kritikon sanksionet ndaj Rusisë, raportoi Associated Press.

Në takimin e Mynihut, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu skepticizëm për pozicionin e Pekinit përpara publikimit të planit. Ai tha se Kina ka ofruar ndihmë jovdekjeprurëse që mbështet përpjekjet luftarake të presidentit rus, Vladimir Putin. Kina e ka quajtur akuzën një “njollosje” dhe tha se i mungojnë provat.

Çfarë ka propozuar Kina?

Propozimi i Kinës kërkon një armëpushim dhe bisedime paqeje, si dhe fund të sanksioneve kundër Rusisë.

Kina vendosi përgjegjësinë për sanksionet mbi “vendet e tjera përkatëse” pa i përmendur ato. Këto vende, thuhet në propozim, “duhet të ndalojnë abuzimin e sanksioneve të njëanshme” dhe “të bëjnë pjesën e tyre në de-përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”.

Shumë nga 12 pikat janë shumë të përgjithshme dhe nuk përmbajnë propozime specifike.

Pa përmendur Rusinë apo Ukrainën, Kina thotë se sovraniteti i të gjitha vendeve duhet të ruhet. Ajo nuk ka specifikuar se si do të dukej sovraniteti për Ukrainën dhe tokën e marrë prej saj, që kur Rusia pushtoi Krimenë në 2014.

Propozimi po ashtu dënon “mentalitetin e Luftës së Ftohtë”, një term që shpesh i referohet Shteteve të Bashkuara dhe aleancës ushtarake SHBA- Evropë-NATO.

“Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet duke forcuar apo zgjeruar blloqet ushtarake”, thuhet në propozim.

Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi një premtim se Ukraina nuk do të bashkohet me bllokun, para nisjes së pushtimit.

Pika të tjera bëjnë thirrje për një armëpushim, bisedime paqeje, mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ndalimin e sulmeve ndaj civilëve, si dhe mbajtjen e centraleve bërthamore të sigurta dhe lehtësimin e eksporteve të grurit.

Putini ka thënë se pret që Xi ta vizitojë Rusinë në muajt e ardhshëm. Kina ende nuk e ka konfirmuar këtë.

Blinkeni ka thënë se Kina “po përpiqet të mbajë të dyja anët”.

“Publikisht, ata e paraqesin veten si një vend që përpiqet për paqen në Ukrainë, por privatisht, siç thashë, ne kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit dhënien e ndihmës jovdekjeprurëse që shkon drejtpërdrejt në ndihmën dhe nxitjen e përpjekjeve luftarake të Rusi”, ka thënë Blinkeni.

Mbështetja e Kinës për Rusinë ka qenë kryesisht retorike dhe politike. Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara. Nuk ka asnjë provë publike që aktualisht po furnizon me armë Rusinë, por SHBA-ja ka thënë se Kina po ofron tashmë mbështetje jo-vdekjeprurëse dhe mund të bëjë më shumë.

Blinkeni, në konferencën e Mynihut ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh të shqetësuara se Kina do t'i siguronte armë Rusisë.

“Ne kemi informacione që na shqetësojnë se ata po shqyrtojnë ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse për Rusinë”, është shprehur Blinkeni.