Botë

Pence përgënjeshtron se do të garojë për president në vitin 2020

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, e ka përgënjeshtruar një raport, ku sugjerohej se ai po e përgatit terrenin për konkurrim të mundshëm për president në vitin 2020.

Në kumtesën e publikuar dje, zoti Pence tha se raporti në të përditshmen, New York Times, “është i turpshëm dhe ofendues”.

Ai theksoi se akuzat në këtë artikull ishin “kategorikisht të rrejshme” dhe se ekipi i tij do të “fokusohet në përpjekje për avancimin e agjendës së presidentit, Donald Trump, dhe për ta parë rizgjedhjen e tij në vitin 2020”.

Në artikullin e gazetës jepeshin detaje të përpjekjeve të disa republikanëve, ku shikohej kah viti 2020, me ç’rast parashihej një “fushatë në hije”.

Mëtutje, New York Times ka shkruar se Pence tashmë “kishte aluduar te donatorët partiakë se ai do të planifikonte të garonte, nëse zoti Trump nuk do ta bëntë këtë gjë”.