Botë

SHBA-ja e gatshme t’i ndihmojë Turqisë pas tërmetit vdekjeprurës

Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmë ndaj Turqisë, pas tërmetit që la të vdekur qindra persona në Turqi dhe Siri.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Sullivan ka thënë se është në kontakt me zyrtarët turq dhe se SHBA-ja është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme.

“SHBA-ja është thellësisht e shqetësuar nga tërmeti shkatërrues i sotëm në Turqi dhe Siri. Kam qenë në kontakt me zyrtarët turq për të thënë se ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo dhe të gjithë ndihmën e nevojshme. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, ka thënë Sullivan.

 

Të paktën 227 persona vdiqën në Turqi nga një tërmet 7.8 shkallësh, raportoi CNN të hënën.

Mbi 630 persona të tjerë u lënduan, ndërsa tërmeti goditi edhe një pjesë të Sirisë.