Botë

Hetohet për korrupsion njëri prej njerëzve më të pasur në Ukrainë

Ukraina ka nisur një valë të re bastisjesh kundër korrupsionit ndaj figurave të profilit të lartë, duke përfshirë një nga njerëzit më të pasur të vendit, Ihor Kolomoisky.

Kolomoisky është një nga individët më të njohur të Ukrainës dhe uebsajtet ukrainase publikuan fotografi të detektivëve që kontrollonin shtëpinë e tij në qytetin juglindor të Dnipros.

Shtëpia e ish-ministrit të Brendshëm, Arsen Avakov u kontrollua gjithashtu, si pjesë e spastrimit nga korrupsionit, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Ukraina ka nisur një aksion kundër korrupsionit dhe zyrtarët thanë se drejtuesit e shërbimit doganor janë shkarkuar tashmë.

Kreu i partisë së presidentit, Volodymyr Zelensky, në Parlament, tha se Ukraina do të ndryshojë gjatë luftës.

"Nëse dikush nuk është gati për ndryshim, atëherë vetë shteti do të vijë dhe do t'i ndihmojë ata të ndryshojnë”, ka deklaruar David Arakhamia në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ukraina është vënë nën presion në rritje nga partnerët e saj perëndimorë, veçanërisht BE-ja, për të luftuar korrupsionin. Kur Zelensky erdhi në pushtet në vitin 2019, ai përmendi luftën kundër korrupsionit si një nga prioritetet e tij kryesore.

Kievi do të mbajë një samit me zyrtarë kryesorë të BE-së këtë javë, i parë nga Ukraina si shumë i rëndësishëm në shtytjen e saj për anëtarësimin në organizatën 27-anëtarëshe. Ukrainës iu dha statusi i kandidatit për në BE katër muaj pas pushtimit të Rusisë, por atij iu kërkua të bënte më shumë për të luftuar korrupsionin.

Dhjetë figura kryesore ukrainase dhanë dorëheqjen javën e kaluar, si pjesë e spastrimit, duke përfshirë zëvendës shefin e zyrës së Zelenskyt, Kyrylo Tymoshenko.

Disa zëvendësministra dhe guvernatorë rajonalë u shkarkuar gjithashtu. Zelensky tha në atë kohë se çdo problem i brendshëm që pengonte shtetin do të pastrohej për të ndihmuar "afrimin e Ukrainës me institucionet evropiane".