Botë

Qeni shkel këmbëzën e pushkës dhe qëllon për vdekje një burrë

Një qen shkeli mbi një pushkë të mbushur, duke qëlluar për vdekje një pasagjer në automjetin e pronarit të tij gjatë një udhëtimi gjuetie në Kansas, raportoi The Washington Post.

Joseph Austin Smith ishte ulur në ulësen e pasagjerit të një kamionçinës kur u qëllua nga pas, tha në një deklaratë policia.

“Në ulësen e pasme kishte pajisje gjuetie dhe një pushkë”, thuhet në deklaratë. “Një qen që i përkiste pronarit të kamionçinës ka shkelur pushkën duke shkaktuar shkarkimin e armës. Predha e qëlluar ka goditur pasagjerin i cili ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra në vendngjarje”.

Policia shtoi se i konsideron të shtënat një aksident dhe e ka mbyllur çështjen.

Ky rast nuk është i vetmi ku të përfshirë janë një qen dhe një armë e mbushur. Shumë persona përreth SHBA-së janë lënduar ose vrarë nga kafshët e tyre shtëpiake nëpërmjet armëve të zjarrit.