Botë

Asambleja e re shkarkon kryeprokuroren anti-Maduro në Venezuelë

Descriptive Text

Forcat venezueliane të sigurisë kanë rrethuar zyrën e kryeprokurores Luisa Ortega në Karakas, një veprim të cilin ajo e ka cilësuar një agresion.

Rrethimi i zyrës së saj ka ardhur një ditë pas krijimit të asamblesë kushtetuese, me nismë të presidentit Maduro, që e shkarkoi kryeprokuroren nga detyra.

Ortega, një kritike e sertë e presidentit të majtë Nicolas Maduro, kishte kundërshtuar krijimin e organit të ri, që i heq kompetencat gjyqësorit.

Ajo gjithashtu hapi një hetim për manipulim të votave gjatë procesit të votimit për ngritjen ose jo të strukturës së re.

Maduro, një ekstremist i majtë që thotë se asambleja nevojitet për të sjellë paqen pas muajsh të tërë protestash të shkaktuara nga kriza ekonomike, i ka hedhur poshtë akuzat.

Nga ana e saj, prokurorja e përgjithshme ka shprehur indinjatën në Twitter, duke publikuar edhe foto nga vendngjarja. “E refuzoj me të gjitha forcat këtë veprim dhe e denoncoj këtë akt arbitrar përpara komunitetit kombëtar dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Ortega.

Në fotot e saj shihen disa dhjetëra oficerë të Gardës Kombëtare që kanë rrethuar ndërtesën, të fshehur prapa mburojave që përdoren kundër turmës në raste protestash, transmeton tch.

Ortega, e cila ishte e lidhur me qeverinë, u shkëput nga radhët e saj në muajin mars. Ajo habiti jo pak venezuelianë kur papritur u shfaq në televizion për të denoncuar përpjekjet e Gjykatës së Lartë për t’i marrë kompetencat Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita.