Botë

Rusia sulmon sërish Kievin

Një seri shpërthimesh tronditën Kievin të shtunën në mëngjes dhe disa minuta më vonë sirenat e sulmit ajror filluan të dëgjoheshin.

“Infrastruktura kritike në Kiev ishte në shënjestër”, ka shkruar në Telegram nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, raportoi Associated Press të shtunën.

Një objekt i paidentifikuar i infrastrukturës u godit në qytet dhe shërbimet e urgjencës po veprojnë në vendin e sulmit, bëri të ditur administrata ushtarake e qytetit të Kievit.

Shpërthime u dëgjuan në lagjen Dniprovskyi, një zonë banimi në bregun e majtë të lumit Dnieper, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko. Klitschko tha gjithashtu se fragmente të një rakete ranë në një zonë jo-banesore në lagjen Holosiivskyi në bregun e djathtë, dhe një zjarr shpërtheu në një ndërtesë atje. Deri më tani nuk raportohet për viktima.

Kryeqyteti ukrainas nuk është sulmuar me raketa që nga 1 janari.